Në Nikaragua vazhdon të luhet futboll, por lojtarët po frikësohen nga virusi

Prishtinë | 05 Pri 2020 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Futbolli në Nikaragua është duke gëzuar një rritje të popullaritetit pasi është një nga pak vende ku ende po luhet në kohën e pandemisë COVID-19. Por, lojtarët në fushë janë të shqetësuar për përhapjen e koronavirusit dhe thotë se frika ka ndryshuar mënyrën e lojës së tyre, shkruan agjencia Reuters.

“Ne mundohemi të evitojmë prekjen me lojtarët tjerë”, thotë Carlos Mosquera, portier i klubit Deportivo Las Sabanas. “Futbolli ka ndryshuar, pasi më nuk shkon me intensitet të njëjtë në një dyluftim. Frika se çfarë po ndodh në botë është gjithmonë prezente. Mentalisht, nuk je i përqendruar vetëm në lojë, gjithmonë mendon se kundërshtari mund të ketë virusin”.

Primera Liga e Nikaraguas është një nga katër ligat e vetme që po vazhdojnë garat. Në këtë mes janë liga e Bjellorusisë, Burundit dhe Taxhikistanit.

Ndeshjet në shtetin e Amerikës së Mesme po luhen pa shikues, por po transmetohen drejtpërdrejtë në televizionin lokal e po ashtu edhe në Facebook.

Vazhdimi i garave i ka siguruar futbollit në Nikaragua përcjellje të madhe nëpër botë. Në Nikaragua sporti i preferuar është bejsbolli, garat e të cilit sport po ashtu po vazhdojnë.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Nikaraguas, Jose Maria Bermudez, ka thënë se tifozët nga mbarë bota po shikojnë ndeshjet dhe po vendosin baste për to.

“Ne kemi vërejtur se më tepër njerëz po i kushtojnë vëmendje, veçanërisht në faqe të bastoreve. Nuk ka ndikim financiare tek ne – njerëzit fitojnë apo humbasin para, por ne nuk marrim para – por, ne mund të shohim se njerëzit po na përcjellin ne pasi jemi nga vendet e pakta ku ende po luhet futboll”, thotë Bermudez.

Duke marrë parasysh se sportet janë larguar gati tërësisht nga televizionet botërore në kohët e fundit, Bermudez tregon se së paku një kompani e huaj ka kontaktuar pronarin lokal të drejtave televizive, Canal 6, për të negociuar për të drejtat e transmetimit.

Kjo mund të qojë te fitime shtesë për ligën pak të njohur.

Bermudez ka insistuar se liga me dhjetë klube nuk ka vendosur ende për të kompletuar stinorin. Ai thotë se do të vazhdohet të luhet, derisa situata e lejon këtë.

Kanë mbetur edhe pesë xhiro të stinorit të rregullt për t’u luajtur, para se katër klubet e para në renditje të shkojnë në raundin gjysmëfinal të plejofit, që pritet të nisë në prill.

Bermudez ka thënë se Nikaragua ka shumë pak raste me koronavirus dhe vetëm një viktimë.

“Situata këtu është gati normale, janë vetëm katër raste me koronavirus dhe tre prej tyre janë të ardhur nga vendet tjera. Ne na janë dhënë informatat nga autoritetet e shëndetësisë dhe kemi marrë vendimet duke u bazuar në to. Ne nuk jemi qeveri, ne drejtojmë futbollin. Nëse gjërat keqësohen apo dalin nga kontrolli, ne do të pezullojmë ligën për të mbrojtur jetët”, deklaron Bermudez.

Numri i rasteve të konfirmuara është rritur në pesë, ndërsa ka një të vdekur.

Lojtarët thonë se nuk janë konsultuar për vendimin për të vazhduar me futbollin, që është marrë në një takim mes ligës dhe pronarëve të klubeve, shumica e të cilëve kanë përkrahje financiare nga qeveria e presidentit autoritar të Nikaraguas, Daniel Ortega.

Ortega ka insistuar se Nikaragua është duke marrë qasjen më të arsyeshme për t’u përballur me pandeminë. Kritikët thonë se ai dëshiron t’ia dëshmojë botës se jeta në Nikaragua vazhdon të jetë normale.

Washingtoni i ka vendosur sanksione Nikaraguas pas shtypjes së protesteve opozitare në vend në vitin 2018. Disa anëtarë të Bashkimit Evropian e kanë akuzuar Ortegan për burgosje dhe torturim të burgosurve politik dhe për ndalim të grupeve të drejtave të njeriut dhe censurim të mediave. Këto akuza i ka mohuar qeveria.

Disa lojtarë janë rreshtuar për ndeshje këtë javë me maska dhe doreza.

Lojtarët te Deportivo Las Sabanas kanë thënë për agjencinë Reuters se u duhet të luajnë për të përkrahur familjet e tyre dhe pak si në shaka kanë thënë se ky interesim i madh në ligën e Nikaraguas mund t’i ndihmojë që të sigurojnë ndonjë transferim te ndonjë klub i madh.

Të ngjashme