Nuk rehatohet Sensi, lëndohet sërish

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

E nisi aventurën e tij te Interi në mënyrën më të mirë të mundshme, por që prej tetorit ndaj Juventusit, Stefano Sensin vijon ta ndjekë mallkimi i dëmtimeve dhe nuk po arrin dot të gjejë vazhdimësi në fushë.

Kur dukej se kishte lënë gjithçka pas krahëve dhe pritej të ndihmonte skuadrën në fushën e lojës në sprintin final të sezonit, Sensi është dëmtuar sërish dhe ka lënë seancën e sotme stërvitore, për të kryer ekzaminime më të detajuara.

Sipas mjekëve të klubit zikaltër është e sigurt mungesa e fantazistit në sfidën e të dielës në mbrëmje ndaj Sampdorias, ndërsa ende nuk janë gjetur shkaqet e këtij problemi muskulor, që do të lërë sërish pushim Sensin.

Mesfushori iu bashkua zikaltërve në huazim me të drejtë blerjeje nga Sassuolo dhe Inter do të duhet të vendosë brenda muajit gusht nëse do ta mbajë apo do të kthejë sërish fantazistin në klubin nga Reggio Emilia.

Paraqitjet e tij kanë bindur Conten dhe të gjithë të tjerët në ambientin zikaltër, por këto dëmtime të shpeshta kanë krijuar disa hije dyshimi, duke qenë se mesfushori italian nuk po arrin të shndërrohet në një titullar të padiskutueshëm të skuadrës.

Të ngjashme