Pakoja emergjente “ndan” klubet e futbollit

Prishtinë | 11 Pri 2020 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Kosovës të premten bëri publike pakon e saj të ndihmës emergjente.

FFK-ja ka thënë se prej buxhetit të saj do të ndihmojë të gjithë të përfshirët në futboll. Klubet e Superligës, për shembull, do të përkrahen për 35 persona me shumën prej 350 euro për secilin person.

Do të përkrahen edhe klubet e kategorive tjera, arbitrat e delegatët, ndërsa për shkollat e futbollit ndihma do të prezantohet më vonë, raporton Koha.net.

Klubet e futbollit në vend nuk kanë pasur vlerësim të njëjtë për pakon e prezantuar nga FFK-ja. Disa kanë vlerësuar ndihmën e Federatës sportive më të madhe në vend e në disa klube janë të pakënaqur.

I pari që reagoj ishte klubi Llapi.

“Kjo shumë është e papranueshme për klubet e Superligës, duke ditur se tash e tri vjet radhazi nuk na shpërndahen mjetet e solidaritetit të UEFA-s për klube të Superligës dhe Ligës së Parë, shuma e të cilave është 2,4 milionë euro. Shuma e ndarë është sa për sy e faqe”, thuhet në komunikatën e Llapit.

Drejtuesit e Llapit ka kohë që janë opozitë e fortë e drejtuesve të FFK-së. Komunikata e klubit nga Podujeva shkon në këtë drejtim.

Klubi tjetër me peshë në elitën e futbollit kosovar, Trepça ’89 ka thënë se “FFK-ja edhe njëherë luan me ndjenjat e klubeve”. Klubi mitrovicas e ka vlerësuar lojë të pakuptimtë vendimin e FFK-së.

“Ka klube të cilat shpenzimet mujore i kanë enorme, prej 50 mijë deri në 100 mijë euro, ndërsa këta me këto shuma qesharake mundohen të na qesin hi syve. Për Trepçën ’89 është e papranueshme kjo lloj ndihme”, thuhet në komunikatën e 89-shit, që së bashku me Llapin janë në grupin opozitar të drejtuesve aktual të FFK-së. Trepça ’89 vlerëson se FFK-ja ka mjete të mjaftueshme.

Shumë prej klubeve nuk kanë paraqitur qëndrim për pakon emergjente të Federatës, ndërsa një pjesë e tyre kanë përkrahur atë.

KF Gjakova, Dukagjini, Dardana, 2 Korriku publikisht kanë përkrahur vendimin e FFK-së. Pro-vendimit janë deklaruar edhe kryetari i Gjilanit dhe ai KEK-ut e po ashtu disa të përfshirë në futbollin kosovar.

“Kryesia e klubit të futbollit Dukagjini shpreh falënderim të veçantë për kryetarin e FFK-së, Agim Ademi dhe institucionin që ai e udhëheq, për ndihmën e ofruar për klubet në këtë kohë të vështirë. Çmojmë lartë përkushtimin dhe gatishmërinë e tij që edhe tash si çdo herë të jetë pranë lojtarëve dhe klubeve”, thuhet në komunikatën e Dukagjinit të Klinës, klub ky që vazhdimisht ka dalë në përkrahje të drejtuesve të federatës.

Të ngjashme