Pas dhjetë vjetësh, Vojvoda shkëlqeu edhe si qendërmbrojtës

Prishtinë | 12 Gus 2020 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Dhjetë vjet më herët, Mërgim Vojvoda kishte luajtur si qendërmbrojtës. Në të njëjtin pozicion, Vojvoda që luan në anën e djathtë, luajti edhe në fundjavën e shkuar në fitoren e Standard Lieges kundër Cercle Brugges me rezultatin 1:0, në kuadër të xhiros së parë të edicionit të ri të elitës së futbollit të Belgjikës. Pas ndeshjes, Vojvoda mori lëvdata.

“I pozicionuar në qendër të mbrojtjes, kosovari bindi me lojë”, është hyrja e shkrimit i “hadtopics.com” dedikuar Vojvodës.

Edhe vetë mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës u nda i kënaqur me punën që bëri në qendër të mbrojtjes.

“Kam luajtur si mbrojtës i qendrës nga 5 deri 15 vjet, përfshirë një vit edhe në Standard”, komentoi mbrojtësi i “Dardanëve”.

Por, për trajnerin Philippe Montanier nuk ishte i rastësishëm vendimi që Vojvodën ta angazhojë në qendër të mbrojtës. Ai thotë se Vojvoda është lojtar i pjekur.

“Mërgimi ka të gjitha cilësitë për të qenë i suksesshëm në këtë pozicion. Me paraqitjen e tij e konfirmoi atë që prisja. Ai është një atlet, i shpejtë dhe i fuqishëm. Avantazhi që ai ka, si lojtar i mirë me top në këmbë, është lehtë për të reflektuar në qendër. Pra, ai na ndihmoi të kalonim më shpejt topin në pjesën e mesfushës”, ka thënë ai.

Vojvoda 25-vjeçar është zhvilluar si futbollist te Standard Liege. Ka luajtur edhe për Truiden në Belgjikë, si dhe për Carl Zeiss Jena dhe Royal Mouscron.

Të ngjashme