Pas Superligës, FBK-ja do t’i anulojë edhe garat e tjera të seniorëve

Prishtinë | 19 Maj 2020 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

Fatin e Superligës së Kosovës në basketboll në të dyja konkurrencat, do ta kenë edhe tri kategoritë e tjera të seniorëve të këtij sporti. Pas anulimit të Superligës në muajin e shkuar, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në mbledhjen që do ta mbajë të martën (sot), pritet të anulojë edhe edicionin në Ligën e Parë, Ligën e Dytë (meshkujt) dhe Ligën e Parë të femrave.

Edhe në këto rangje nuk do të shpallen kampionët, ashtu siç ishte vepruar me Superligën. Megjithatë, për këto nivele do të organizohen gara të plejautit për promovim dhe rënie, të cilat planifikohen të mbahen diku kah muaji gusht, eventualisht shtator. Në këtë mënyrë, FBK-ja po përpiqet t’u mundësojë ekipeve edhe një mundësi të vogël për të përmbushur synimin e këtij edicioni. Të gjitha këto vendime do të merren në mbledhjen e Bordit ku do të flitet edhe për çështje të tjera.

“Ngjashëm si Superliga në të dyja konkurrencat, ashtu edhe Liga e Parë, Liga e Dytë te meshkujt dhe Liga e Parë e femrave do të anulohen në mbledhjen e Bordit. Pra, federata do të anulojë të gjitha garat e kategorive të seniorëve”, kanë thënë burime të gazetës të hënën. “Nuk do të shpallen kampionët në asnjërën prej këtyre kategorive, por do të ketë gara të plejautit.

Sa u përket çështjeve të tjera, Bordi i FBK-së do të marrë një vendim edhe për garat e gjeneratave të reja, që janë të pezulluara që nga muaji mars. Në fakt, aktivitetet sportive në Kosovë janë të ndaluara që nga data 13 mars, kur edhe u paraqitën rastet e para të prekura me koronavirus. Për dallim prej kategorisë së seniorëve, ku do të anulohet edicioni, te gjeneratat e reja nuk pritet të ndodhë një gjë e tillë. Kjo për shkak se FBK-ja po planifikon që të vazhdojë me garat në muajin gusht, por në format të turneut për ta përmbyllur edicionin.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e ka konfirmuar mbledhjen e Bordit, por nuk ka dashur të flasë për vendimet që pritet të dalin prej saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme