Pasimi i jashtëzakonshëm i Alissonit për Salahun në finale të Championsit

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Portieri brazilian, Alisson Becker, ishte ndër lojtarët më të rëndësishëm të Liverpoolit në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit. Përveç pritjeve të tij mbresëlënëse, një pasim i tij e ka kapur vëmendjen e tifozëve.

Alissoni u transferua në Liverpool nga Roma verën e kaluar për 65 milionë funte. Ai i pranoi vetëm 22 gola në sezonin 2018/19 të Premierligës, duke e fituar kështu Dorëzën e Artë. Ai gjithashtu i mori vetëm tetë gola në Ligën e Kampionëve e në finale e mbajti portën e paprekur.

Alissoni nuk ishte shumë i zënë në ndeshjen kundër Tottenhamit, megjithatë ai ishte i gatshëm t’i prite goditjet e lojtarëve të Tottenhamit sa herë që ata sulmonin.

Ajo që e bën Alissonin portier edhe më të veçantë është fakti se ai di edhe të luajë shumë mirë dhe këtë gjë e ka dëshmuar edhe në finale, me një pasim për Mohamed Salahun, që e la shumë prapa mbrojtjen e Tottenhamit.

Embedded video

Finalja e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve nisi në mënyrë mjaft spektakolare, pasi që gjyqtari Damir Skomina akordoi penallti për Liverpoolin pas vetëm 30 sekondave lojë. Këtë mundësi të artë e shfrytëzoi Mohamed Salahu, i cili i kishte vënë vetes synim të jetë vendimtar në këtë finale, pasi që finalen e sezonin të kaluar e mbylli pas 31 minutave lojë, pas përplasjes me Sergio Ramosin.

Megjithatë, Liverpooli e përfundoi këtë ndeshje me një rezultat më të mirë, pasi që përveç Salahut, hero i “The Reds” u bë edhe Divock Origi, i cili kishte qenë vendimtar edhe në gjysmëfinalen kundër Barcelonës.

Përderisa Tottenhami e dominoi ndeshjen sa i përket posedimit të topit, 64 për qind me 36 për Liverpoolin, djelmoshat e Mauricio Pochettinos nuk arritën ta shfrytëzojnë këtë posedim për të krijuar shanse të mirë, veçanërisht në pjesën e parë kur nuk e pati asnjë goditje brenda kuadratit të portës.

Tottenhami u përmirësua në pjesën e dytë, kur e rrezikoi portën e Alissonit plot pesë herë, por as kjo nuk ishte e mjaftueshme për skuadrën e Mauricio Pochettinos, që po merrte pjesë në finale të Ligës së Kampionëve për herë të parë në histori të klubit. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme