Pensionohet ish-sulmuesja e Anglisë Eni Aluko

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Ish-sulmuesja e Anglisë, Eni Aluko, e ka konfirmuar pensionimin e saj nga futbolli në moshën 32-vjeçare, gjashtë javë pasi e shkëputi para kohë kontratën me Juventusin për t’u kthyer në Angli.

Eni Aluko i kishte fituar pesë tituj të FA Cup dhe tre tituj të ligës angleze gjatë karrierës së saj me Birminghamin, Charltonin dhe Chelsean, përderisa përfaqësoi edhe klubet amerikane Saint Louis Athletics, Atlanta Beat dhe Sky Blue, si dhe fitoi tituj të ligës dhe kupës në Itali, transmeton Gazeta Express.

Ajo konsiderohet nga shumë tifozë si futbollistja më e mirë në histori të Anglisë, falë 102 paraqitjeve të saj me ekipin kombëtar, pjesëmarrjen në tri Kupa të Botës dhe dy Kampionate Evropiane, si dhe pasi që përfaqësoi Britaninë e Madhe në Lojërat Olimpike 2012.

Karriera e saj me Kombëtaren e Anglisë përfundoi papritmas, pasi që ajo s’u ftua më kurrë pasi e akuzoi ish-trajnerin e Kombëtares, Mark Sampson, për diskriminim në vitin 2016. Ajo vazhdoi të arrijë suksese me klube dhe e fitoi trofeun e fundit në karrierë, Superkupën e Italisë, me Juventusin para tre muajve.

“Unë ndiej se po i jap fund karrierës në momentin më të mirë, me ndjenjën se s’kam çfarë t’i jap më këtij sporti. Asgjë nuk mund të më motivoj të vazhdoj të luaj për edhe dy apo tre vjet, përveç dashurisë time për këtë lojë, gjë që e kam shprehur gjithmonë”, ka thënë Aluko.

“E vërteta është se unë jam gati për periudhën e radhës të jetës sime dhe ndihem shumë e emocionuar. Një kapitull i ri do të nisë tani për mua dhe do të jetë plot me sfida të reja. Sa i përket karrierës sime si futbolliste, e ndiej se kjo ka marrë fund”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme