“Pogba i bën lojtarët e Man Unitedit më të dobët”

Prishtinë | 14 Maj 2019 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Paul Pogba bën që lojtarët përreth tij në Manchester United të jenë më të dobët, thotë Liam Rosenior, edhe pse ai beson se francezi është futbollist i klasit botëror, që përshtatet me një stil tjetër të futbollit.

Mesfushori francez kishte marrë kritika dhe ofendime nga tifozët pasi Manchester Unitedi pësoi disfatë me rezultat 2:0 kundër Crystal Palace në ndeshjen e fundit të këtij sezoni në Premierligë. Manchester Unitedi mbeti në vendin e gjashtë dhe sezonin tjetër do të luajë në Ligën e Evropës.

Edhe pse Pogba e pati sezonin e tij më të mirë me fanellën e Manchester Unitedit, duke i shënuar 16 gola dhe asistuar 11 të tjera, paraqitjet e tij kanë bërë që ai shpeshherë të kritikohet për mungesën e vullnetit në ndeshjet e “Djajve të kuq” ashtu siç ishte për Francën gjatë verës, kur e fitoi titullin e Kupës së Botës.

Ish-mesfushori i Hull Cityt, Liam Rosenior, beson se karakteri i Pogbas nuk përshtatet me Manchester Unitedin dhe se stili i tij e bën të vështirë punën për bashkëlojtarët e tij.

“Pogba nuk është lloji i lojtarit që i duhet Manchester Unitedit për momentin. A është ai futbollist i klasit botëror? Po. A është ai lloji i lojtarit që mund ta bësh lider të skuadrës? Jo, nuk është”, ka thënë Rosenior.

“Ai thjesht nuk është i përshtatshëm. Pogba i bën lojtarët përreth vetes lojtarë më të dobët sepse ata vazhdimisht duhet t’i plotësojnë hapësirat që ai i lë bosh në fushë”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme