Portieri veteran kërkon të bëjë histori në Kupën e Botës

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 11:39 | Nga

Portieri i Egjiptit, Essam el-Hadary, që në moshën 45-vjeçare do të bëhet më i vjetri që ka luajtur në Kupën e Botës në futboll, thotë se shpreson që storia e tij të inspirojë të tjerët që të ndjekin ëndrrat e veta.

El-Hadary është i vendosur që të jetë në skuadrën e Egjiptit për Botërorin 2018 në Rusi, ku shpreson të bëjë debutimin e vet në Kupën e Botës, shkruan Koha Ditore.

“Unë jam shumë i lumtur që të luaj në Kupën e Botës dhe ky është mesazhi për të gjithë futbollistët dhe të tjerët nëpër botë, që duhet të besoni në ëndrrat tuaja dhe të luftoni për t’i realizuar ato”, thotë El-Hadary. “Unë jam 45-vjeçar, por për mua ky është vetëm numër në letër. Unë stërvitem fort çdo ditë, nuk e di se çfarë do të thotë fjala e pamundur. Do të luftoj deri te Kupa e Botës për të pasur mundësinë që të luaj dhe të mbroj ngjyrat e vendit tim”.

Faryd Mondragon i Kolumbisë u bë më i vjetri që luajti në Kupën e Botës, kur u paraqit në ndeshje kundër Japonisë në Botërorin 2014 në Brazil në moshën 43 vjet e tri ditë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme