Presidenti e quajti fëmijë Balotellin, reagon Raiola

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Mario Balotelli, i cili zbarkoi verën e kaluar te Brescia, për t’u bërë lider i ekipit, në fakt nuk përjetoi sezonin e tij më të mirë ndonjëherë. Ai ka luajtur 19 ndeshje në Serie A, ka shënuar 5 gola, të cilët, të paktën për momentin, nuk i kanë ndihmuar “dallëndyshet” të shkojnë më lart se vendi i fundit në renditje.

Presidenti Massimo Cellino, duke folur për mikrofonat e “Teletutto”, pranoi se eksperimenti “Balotelli” nuk funksionoi.

“E desha vetë te Brescia. Ne prisnim diçka më shumë nga ai, çka për fat të keq nuk erdhi. Mario duhet ta tregojë veten si futbollit, jo në “chat” dhe Twitter. Kjo nuk është një gjë e mirë për mua”.

Presidenti i Brescia kritikoi disa sjellje të “SuperMario”.

“Në disa qëndrime jashtë fushës, u tregua shumë sipërfaqësor, si një fëmijë. Sidoqoftë, nuk do të nënkuptojmë se po shkojmë në Serie B për shkak të tij. Ai nuk është menaxhuar mirë. Nëse një fëmijë është i pasjellshëm, gjithmonë është faji i prindërve”.

Kjo fjali e fundit ka shkaktuar shumë diskutime, por Mino Raiola ishte ai, që shoi polemikat që në “syth”.  Agjenti i Balotellit, përmes profilit të tij në Instagram, shpjegoi fjalët e Cellino.

“Presidenti e bëri të qartë. Për mua pati kritika mbi menaxhimin e tij, të bërë nga klubi, jo nga familja. Fjalët duhet të lexohen gjithmonë në kontekst. Asnjë polemikë. Marrja e fjalive jashtë kontekstit gjeneron vetëm lajme të rreme”. 

Të ngjashme