Presidenti i Milanit kundërshton planin për të rifilluar me ndeshje të Kupës

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i AC Milan, Paolo Scaroni ka thënë se ka kundërshtuar planet për të rifilluar edicionin e futbollit italian me ndeshjet gjysmëfinale dhe finalen e Kupës brenda disa ditëve.

Edicioni është pezulluar më 9 mars për shkak të koronavirusit, pasi gjysmëfinalet e para ishin luajtur.

Ministri i Sportit, Vincenzo Spadafora ka konfirmuar të enjten se Serie A mund të rifillojë më 20 qershor dhe ka sugjeruar që Kupa e Italisë mund të kompletohet paraprakisht, me ndeshjet e dyta gjysmëfinale më 13 qershor dhe me finalen tri ditë më vonë. Në gjysmëfinale takohen Napoli me Interin dhe Juventusi me Milanin.

“Ne e kuptojmë vlerën e ofrimit për tifozët të ndeshjeve kualitative, muaj të tërë pas bllokimit”, ka thënë Scaroni për ANSA.

“Por nga aspekti sportiv ne e vlerësojmë të diskutueshme që të japim një trofe shumë të rëndësishëm si Kupa e Italisë me dy ndeshje brenda tri ditëve, pas pushimit prej më shumë se tre muajve”.

Sipas Gazzetta dello Sport edhe Interi dhe Juventusi kanë kundërshtuar planin.

Dy presidentë tjerë të klubeve kanë mirëpritur vendimin e qeverisë për rifillim të edicionit.

“Jam i sigurt se me këtë rifillim, futbolli ynë do të jetë në gjendje të mbajë standardin e lartë që është i njohur nëpër botë”, ka thënë presidenti i Lazios, Claudio Lotito, ekipi i të cilit është në pozitë të dytë në Serie A, një pikë prapa Juventusit.

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, thotë se ai ishte skeptik për rifillim të edicionit por se tani është pajtuar që gjërat duhet të shkojnë para.

“Nuk kam menduar vetëm për interesin tim, por për shëndetin e lojtarëve dhe publikut. Për këtë isha në dyshim. Tani kemi vendosur për të vazhduar dhe qartë se unë jam këtu për të bërë gjërat në mënyrën më të mirë”, ka thënë Cairo.

Të ngjashme