Rabiot reagon ndaj lajmit se po mban grevë, pasi s’u kthye në Itali

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Juventusit, Adrien Rabiot, është tallur me spekulimet e medieve italiane se ai po refuzon të stërvitet dhe po mban grevë, pasi që nuk ishte kthyer në të njëjtën kohë në Itali me yjet e tjerë të bardhezinjve.

Francezi nuk ishte i kënaqur me spekulimet e mediumeve italiane dhe u përgjigj me disa postime në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Intagram.

Postimi i tij i parë ishte një foto e tij, ku ai shihej në mendime, përderisa e kishte përshkruar fotografinë me mbishkrimin: “Kur e kupton që është dita jote e fundit e… grevës”, bashkë me disa emotikone duke qeshur.

Më pas ai e postoi një fotografi të një kutie të ilaçeve me fjalët franceze për “gazetar” dhe “televizion”, bashkë me tri shenja të verdha paralajmëruese dhe mbishkrimin “Gazeta, televizion – mos i gëlltit”.

Spekulimet nisën pasi Rabioti është ende në Francë pasi u kthye në vendlindje për t’u vetëizoluar, pasi sezoni i Serisë A u ndërpre shkaku i koronavirusit.

Tashmë në Torino janë kthyer shumë prej bashkëlojtarëve të tij në Juventusit që gjithashtu kishin shkuar në vendlindje, ndërsa mungesa e Rabioti i kishte shtyrë gazetat italiane të shkruajnë se ai po mban grevë.

Mungesën e Rabiotit ato mediume e kishin arsyetuar duke shkruar se Rabioti s’kishte udhëtuar ende në Itali në formë proteste ndaj uljes së pagës vjetore për 25 për qind – gjë që Juventusi e bëri për të gjithë lojtarët, si hap për ta ruajtur klubin nga dëmet financiare shkaku i koronavirusit.

Megjithatë, Rabiot pritet të kthehet nga Itali të mërkurën, edhe ai do të duhet të qëndrojë i vetëizoluar edhe për 14 ditë të tjera, sipas protokollit të qeverisë italiane. 

Të ngjashme