Ramizi, lojtari që paguan çmimin për shërbimin ndaj ekipit

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Futbollisti Samir Ramizi është i njohur për aftësitë ofenzive. Ai bënë karrierë te Xamaxi në Superligën e Zvicrës.

Këtë edicion është lojtari me më së shumti kartona të verdhë në Superligën e Zvicrës. Është ndëshkuar plot dhjetë herë.

“Shumicën e kartonëve i ka marrë në pjesë të dytë dhe shumica prej ndëshkimeve i kanë shërbyer ekipit”, ka shkruar të hënën faqja zyrtare e Superligës së Zvicrës në futboll.

Prej kur i është bashkuar futbollit zviceran, në vitin 2011, Samir Ramizi ka luajtur kryesisht në repartin ofenziv. Mesfushori 28-vjeçar tashmë ka veshur fanellën e Nyonit, Servettes, Carouges dhe Wohlenit. Te Xamaxi ka fituar cilësi të tjera, raporton Koha.net.

Trajneri Joel Magnin e vë në mes të reparteve apo në qendër.

“Nëse vazhdon kështu, unë do të luajë në mbrojtje për një apo dy vjet”, është tallur Ramizi.

“Jo, seriozisht, unë preferoj të luaj në qendër, ku marr shumë topa dhe mund në mënyrë aktive të marr pjesë në lojë”.

Në mesfushë rreziku i fauleve dhe ndëshkimeve është i madh. Ramizi tashmë ka marrë dhjetë kartonë në 20 ndeshje. Sipas “sfl.ch” ai mbanë pozitën e parë në ranglistën jo shumë të lavdishme.

“Qartë se është shumë. Shumica janë absolutisht të merituar, por sipas mendimit tim disa kartonë më janë ndarë shumë lehtë. Po ashtu në tetor në ndeshjen ndaj Servettes kam marrë karton që është dashur t’i ndahet Arbenit Xhemajlit”, ka theksuar Ramizi, që është nga Lugina e Preshevës.

Pesë prej kartonëve, Ramizi i ka marrë për shkak të faulave taktik. Katër i ka marrë për lojë të ashpër dhe një për sjellje josportive. Tetë prej kartonëve i ka marrë në pjesën e dytë të edicionit, gjashtë në 20 minutat e fundit të ndeshjes.

“Nëse duhet të bëjë një faul për të ndihmuar ekipin, nuk hezitoj. Sidomos në fazën finale të ndeshjes, kur është më pak e rrezikshme se në fillim të ndeshjes”, ka shpjeguar numri tetë i Xamaxit. Ai është i vetëdijshëm se duhet të jetë më i kujdesshëm.

Rekordin për kartona të verdhë e mban Stephane Besle, që ishte ndëshkuar 16 herë gjatë edicionit 2013\14 të Superligës së Zvicrës.

“Jo, jo, mos llogarisni në të”, thotë Ramizi. Ai dëshiron të kthehet në ofenzivë dhe të jetë më efikas përpara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme