Reali heq dorë nga Hazardi, por kërkon një tjetër sulmues të Chelseat

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 09:20 | Nga

Real Madrid troket në dyert e Chelseat për të kërkuar “dorën” e dy lojtarëve të Bluve të Londrës, veçse këtë herë tentativa e transferimit nuk sheh më çiftin Courtois-Hazard, sepse sulmuesi është zëvendësuar nga braziliani Willian.

Siç raporton e përditshmja britanike Daily Mail, “Los Blancos” vijnë me një ofertë prej 112 milionë eurosh në total për portierin belg dhe fantazistin brazilianin. Operacioni për portierin 26-vjeçar Courtois vlerësohet me rreth 40 milionë euro, ndërkohë që oferta për mesfushorin 29-vjeçar shkon rreth 73 milionë euro, raporton SuperSport.

Interesi i shtuar për brazilianin Willian, sipas spekulimeve, vjen për të mbuluar një largim eventual të Gareth Bale. Po sipas tabloidit britanik, oferta e spanjollëve duket se është pritur mirë dhe po shqyrtohet me kujdes në “Stamfrod Bridge”, ndryshe nga sa ndodhi me ofertën e Barcelonës, ndaj të cilës u treguan hermetikë për mesfushorin.

Gjasat janë që tratativa të përfundojë me sukses, çka do t’i lejonte klubit “mbretëror” përforcimin e organikës më dy lojtarë të rëndësishëm. Në merkaton në dalje, rasti më i përfolur në media është ai i Kovaçiç, me kroatin që kërkon largimin nga Madridi, ndonëse drejtuesit e Realit i kanë mbyllur dyert e largimit.

Mesfushori 24-vjeçar i ka komunikuar trajnerit Lopetegui dhe shokëve të skuadrës dëshirën për t’u larguar, por mesa duket Reali ka plane të tjera për të, pasi tashmë e liston si të pashitshëm.

Kovaçiç shihet si një lojtar me shumë potencial dhe i rëndësishëm për Realin, por 24-vjeçari kërkon më shumë minuta në dispozicion dhe për këtë nuk ka më ndërmend të negociojë. Gjithsesi, në “Santiago Bernabeu” janë te bindur se do të arrijnë ta bindin të ndryshojë mendim.

Deri sa të ndodhë kjo, Reali nuk do të pranojë asnjë ofertë dhe të gjitha klubet që janë afruar për të dhe nuk kanë qenë të pakta, kanë marrë të njëjtën përgjigje, nuk është në shitje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme