Ronaldo tregon se kush e bindi për t’u kthyer në Manchester United

Prishtinë | 01 Sht 2021 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Cristiano Ronaldo e ka pranuar se Sir Alex Fergusoni ka luajtur rol kyç në kthimin e tij në Manchester United dhe e ka përshkruar mentorin e tij të vjetër si njeri të jashtëzakonshëm.

Ronaldo e frymëzoi Unitedin drejt fitimit të tre titujve në Premierligë dhe drejt triumfit në Ligën e Kampionëve gjatë qëndrimit të tij të parë në klub nga viti 2003 deri në vitin 2009, nën urdhrat e Fergusonit.

Gjatë asaj periudhe, portugezi i kishte shënuar 118 gola në 292 ndeshje.

Ronaldo shijoi sukses edhe më të madh në Real Madrid, para se t’i bashkohej Juventusit më 2018 dhe pas tri vjetëve në Torino, ai ka vendosur të kthehet në Old Trafford.

Ish-trajneri i tij Ferguson ishte ai që e kishte shtyrë për t’u kthyer.

Ronaldo ka treguar se i ka ruajtur kontaktet e vazhdueshme me Fergusonin gjatë dekadës së fundit.

“Siç e dinë të gjithë, që kur pata nënshkruar me Manchester Unitedin në moshën 18-vjeçare, Sir Alex Ferguson ishte çelësi. Mbaj mend kur luajtëm kundër Manchesterit kur isha në Sporting Lisbonë”, tha Ronaldo për MUTV.

“Sir Alex Ferguson është si baba për mua në futboll. Ai më ka ndihmuar shumë, ai m’i ka mësuar shumë gjëra dhe sipas mendimit im, natyrisht, ai luajti rol të madh për shkak të lidhjes që kemi pasur, në kemi qenë në kontakt tërë kohën. Ai është njeri i jashtëzakonshëm”.

36-vjeçari shtoi: “Ai më pëlqen shumë dhe ai ishte njeriu kryesor që unë të jem në këtë pozitë, që nënshkrova me Manchester Unitedin”.

Të ngjashme