Rusëve ende nuk ju lejohet të marrin pjesë në gara ndërkombëtare

Prishtinë | 11 Qer 2019 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Organi administrues i atletikës njoftoi se do të zgjasë vendimin për ndalimin e atletëve rusë nga pjesëmarrja në garat ndërkombëtare për shkak të shqetësimeve se Rusia ka bërë hapa mbrapa në reformimin e programeve të anti-dopingut. Kampionati botëror i atletikës fillon në Katar në muajin shtator.


Shoqata Ndërkombëtare e Federatave të Atletikës ka thënë të dielën se Rusia do të ketë edhe tre muaj kohë për të dëshmuar se po bën përparim në pastrimin e sistemeve të monitorimit të dopingut. Nëse Rusia nuk ndërmerr hapat e duhur, atletëve të “pastër” rusë do t’u kërkohet të konkurrojnë nën një flamur neutral, jo atë rus në kampionatin botëror të atletikës që fillon në shtator në Katar.

Rune Andersen, i cili kryeson grupin e punës të Shoqatës së Atletikës që po monitoron sistemet ruse të anti-dopingut, tha se për të shmangur dënimet për parregullsi, Rusia ka përdorur mostra të vjetra të testeve të atletëve. Por ai tha gjithashtu se ekzistojnë shqetësime se trajnerët e ndaluar vazhdojnë të punojnë me atletët rusë.

“Duke qenë se RUSAF (Agjencia ruse e anti-dopingut) ende nuk ka përmbushur kushtet e ri-pranimit, grupi i punës ka rekomanduar që ajo të mos rikthehet tani për tani. Grupi i punës ndan pakënaqësinë e këshillit të Federatës së Atletikës se përparimi në dy fusha është duke u minuar nga hapat e qartë mbrapa në dy fusha të tjera. Këshilli shpreson se çështjet e pazgjidhura do të mund të zgjidhen së shpejti”, tha Rune Andersen, shef i grupit të punës për anti-dopingun rus në Shoqatën Ndërkombëtare të Federatave të Atletikës.

Rusia është pezulluar nga garat ndërkombëtare të atletikës që nga viti 2015 pas zbulimit për doping të përhapur. Organizimi nga Rusia i lojërave olimpike dimërore të Soçit në vitin 2014 u zbeh nga zbulimi i një përpjekjeje të organizuar e sofistikuar  ku ishin të përfshira agjencioni I intelligences ruse me urdhër nga ministri i  kulturës e sportit të qeverisë ruse për të maskuar mostrat e atletëve që përdorin substanca të ndaluara. Të gjithë informacionin e dha ish drejtori i RUSAF në shkëmbim për azil në SHBA. Filmi dokumentar që nisi dhe shfaqi skandalin e dopingut në atletikë ishte nderuar me çmimin oskar.

Dmitry Shlyakhtin, president i federatës së atletikës në Rusi, tha se organizata e tij po punon për largimin e trajnerëve të ndaluar. Por ai gjithashtu tha se “fakti që ka pasur shkelje duhet të provohet.”

Dhjetra atletë rusë “të pastër” që nga ajo kohë janë lejuar të konkurrojnë nën një flamur neutral.

Të ngjashme