Shaqiri e Xhaka para tri finaleve të mëdha evropiane

Prishtinë | 11 Maj 2019 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Ka kohë që Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka vlerësohen bindshëm futbollistët më të mirë shqiptarë. Dhe distanca e tyre me grupin e lojtarëve të tjerë elitarë shqiptarë pritet të rritet në javët në vijim.

Dy reprezentuesit e Zvicrës do të paraqiten në dy finalet më të mëdha të futbollit evropian të klubeve – në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës, shkruan sot “Koha Ditore”. Më pas të dy bashkë do të jenë në fazën finale të një gare tjetër të madhe të Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA) – Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Zvicra, që në fushë udhëhiqet nga Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, ka fituar Grupin 2 të Ligës A të Ligës së Kombeve të UEFA-s dhe kështu e ka fituar të drejtën të luftojë për trofeun e parë të kësaj gare të përfaqësueseve.

Dy yjet kosovarë do të bashkohen në Portugali për të luajtur fillimisht ndeshjen gjysmëfinale të “Finaleve të Ligës së Kombeve” e më pas do të luajnë për titull apo për vend të tretë.

Shaqiri e Xhaka kanë plot ndeshje e ngjarje të mëdha në këmbët e tyre, gjatë viteve karrierë në nivelin më të lartë evropian, por në fund të edicionit 2018\19 po shkelin territore të reja.

Kështu Shaqiri për herë të dytë do të jetë pjesë e finales së Ligës së Kampionëve, ndërsa Xhaka për herë të parë do të jetë në një finale evropiane, atë të Ligës së Evropës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme