Shpërthen Massimiliano Allegri, kritika të forta Italisë për racizmin në futboll

Prishtinë | 12 Jan 2019 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, beson se frika e marrjes së vendimeve është për faj të dështimit të Italisë për të hequr dorë nga racizmi në futboll. Ai ngulmon se ka më shumë vullnet për të bërë “fjalime të mëdha”, në vend që të ndërmerren veprime.

Incidenti në “San Siro”, më 26 dhjetor, e pa Kalidou Koulibaly të Napolit t’i nënshtrohej abuzimit racist të tifozëve zikaltër gjatë përplasjes me Interin.

Drejtuesit e Serie A u përgjigjën me urdhërimin e Interit për të luajtur dy ndeshje kampionati pa tifozë, por Italia nuk është vendi i vetëm, që po merret me probleme të tilla.

Dy incidente të profilit të lartë në futbollin anglez, në fund të vitit 2018, e bënë Raheem Sterling objektiv të abuzimit racist nga tifozët e Chelsea, pak pasi një tifoz i Tottenham u akuzua për hedhjen e një bananeje ndaj Pierre-Emerick Aubameyang të Arsenalit.

Allegri e sheh të gjithë situatën zhgënjyese, jo vetëm për shkak të abuzimit, por edhe reagimeve të autoriteteve italiane, me trajnerin e Juventusit që kërkon izolimin e atyre që janë shpallur fajtorë.

“Kjo nuk është diçka e re, shumë prej tyre kanë folur për racizmin vetëm për të larë gojën, – tha Allegri. – Është shumë, shumë e lehtë për të vepruar, nuk është çështje e ndarjes së një atomi në katër pjesë. Ka pajisje në stadiume për të identifikuar se kush nuk i respekton rregullat.

Nëse nuk gaboj, personi që hodhi një banane ndaj Aubameyang nuk mund të shkojë më në stadiume. Në Itali kemi një problem: ekziston frika për të marrë vendime.

Ne të gjithë jemi të frikësuar për marrjen e vendimeve të rëndësishme, sepse këto janë shumë të papëlqyeshme. Ti e evidenton personin që gabon dhe ia ndalon hyrjen në stadium për gjithë jetën. Kaq e lehtë është kjo gjë.

Në Itali jemi kampionë botërorë në këto raste. Në vend që të heshtim dhe të veprojmë, të gjithë bëjmë fjalime të mëdha, kur është më mirë të heshtim”.

Të ngjashme