Shpërthimi i Alcacerit pas viteve të shkreta

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Prej ditëve të Raulit e David Villas, Përfaqësuesja e Spanjës nuk ka pasur një sulmues të besueshëm për të udhëhequr vijën e këtij reparti, por Paco Alcacer është duke u dëshmuar se mund të jetë një prej atyre që kërkohej me vite.

Në botërorin “Brazili 2014”, Spanja e mori Diego Costan, por sulmuesi i Atletico Madridit pati një paraqitje zhgënjyese dhe e njëjta histori vazhdoi edhe në botërorin e këtij viti që u mbajt në Rusi.

Seleksionuesi i ri, Luis Enrique, po shikon për opsione të ndryshme në sulm dhe Alcacer është i vendosur për t’i dëshmuar atij se është njeriu i duhur për këtë rol. Ai pati paraqitje impresive në miqësoren që Spanja e luajti të enjten mbrëma në Cardiff ndaj Uellsit. Këtë ndeshje, Spanja e fitoi me rezultatin 4:1, kurse Alcacer realizoi dy herë.

Sulmuesi i Borussia Dortmundit, Alcacer, që është huazuar nga Barcelona, ka shënuar nëntë gola në pesë ndeshje për klubin gjerman dhe për përfaqësuesen spanjolle. Në këtë edicion po tregon formë fantastike dhe Enrique po lutet që Alcacer të vazhdojë me këtë ritëm.

“Kur kam thënë se do të bëj rotacione dhe do të kërkoj opsione për të gjitha repartet, në veçanti për repartin e sulmit, askush nuk më besonte. Kur e ftova Alcacerin, të paktë ishin ata që besonin në aftësitë e tij, përveç meje. Më duket se kisha të drejtë, sepse Alcacer po e shpaguan besimin tim në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Enrique.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme