Sneijderi do të stërvitet me klubin amator para kalimit tek Utrechti

Prishtinë | 15 Kor 2020 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Ish-mesfushori i Holandës, Wesley Sneijder, ka vendosur t’i rikthehet futbollit aktiv pa e mbushur një vit të plotë nga pensionimi. Mediumet holandeze kanë raportuar të martën se Sneijder në fund të këtij muaji do të fillojë me stërvitje grupore përpara se t’i bashkohet skuadrës së Utrechtit. Më 27 korrik, Sneijderi do të stërvitet me ekipin amator DHSC, që bën gara në kategorinë e pestë të Holandës për t’i rikthyer formën dhe gjendjen fizike.

Në momentin që do të jetë i përgatitur fizikisht, Sneijderi do t’i bashkohet skuadrës së Utrechtit që bën gara në elitën e futbollit të Holandës dhe që tashmë i ka ofruar kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi. Sneijderi në muajin gusht të vitit të shkuar vendosi të tërhiqet nga futbolli aktiv pas aventurave që i pati te Galatasaray, Nice dhe Al-Gharafa. Vendimi i tij për t’u rikthyer në futboll vjen vetëm disa javë pas atij të Arjen Robbenit, i cili bëri një veprim të ngjashëm. Edhe Robbeni papritmas vendosi t’i rikthehet futbollit aktiv pas pensionimit, duke firmosur me Groningenin, ekip ku edhe e nisi karrierën si profesionist. Tek Utrechti janë të gatshëm ta mirëpresin Sneijderin 36-vjeçar, që e shohin si përforcim të madh për edicionin e ri.

“Ne kemi folur me të për një rikthim të tij dhe ai është i gatshëm, por fillimisht do t’i duhet të punojë paksa në rikthimin e formës dhe përgatitjen fizike. Një Sneijder në formë të mirë, do të jetë armë e fortë për ekipin tonë në edicionin e ri”, ka thënë drejtori i Utrechtit, Jordy Zuidam.

Sneijderi është futbollisti me më së shumti paraqitje te Holanda, 134 sosh derisa ka realizuar 31 gola prej vitit 2003 deri në vitin 2018. Ai karrierë ka bërë edhe te Ajaxi, Real Madridi dhe Interi, ekipe me të cilat ka fituar trofe, përfshirë këtu edhe Ligën e Kampionëve.

Të ngjashme