Statistikat që favorizojnë Prishtinën drejt finales së Kupës

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Përveç fitores me rezultat 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës kundër Drenicës, Prishtina favorizohet edhe nga statistikat e përballjeve të kaluara me klubin drenicas për të kaluar në finale.

Prishtina ka qenë në formë mbresëlënëse që nga rinisja e sezonit 2019/20, fillimisht duke shënuar fitore bindëse kundër Drenicës në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës, e pastaj duke i fituar dy ndeshjet e radhës në Superligë për t’u ngritur nga pozita e katërt në atë të dytë.

Trajneri Prishtinës, Armend Dallku, i ka bërë të qarta synimet e tij për të luftuar për ty titujt, përderisa në emisionin sportiv “Favorit” ka thënë se synon të garojë për herë të parë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve me bardhekaltrit.

Përderisa Ligën e Kampionëve mund ta sigurojë duke e fituar titullin e ligës, ku kreun aktualisht e mban Drita, daljen në Evropë mund ta sigurojë edhe përmes triumfit në Kupën e Kosovës.

Për të kaluar në finale, Prishtinës i duhet të evitojë humbje me deficit prej katër golash ose më shumë në ndeshjen kthyese, që zhvillohet nesër, ndërsa fitorja 3:0 e Drenicës do ta çonte ndeshjen në shtesë dhe pastaj potencialisht në penallti.

Drenica vjen në këtë ndeshje pasi fitoi me rezultat 2:0 kundër Llapit dhe barazoi pa gola kundër Ballkanit, mirëpo faqja zyrtare e Prishtinës i ka publikuar disa statistika të cilët e favorizojnë klubin kryeqytetas për ta zënë vendin në finale.

“Duke i parë statistikat, Prishtina jo me 4 gola, por as me 3 gola epërsi nuk është mposhtur asnjëherë në Skenderaj. Nga 27 ndeshjet e zhvilluara në Skenderaj, Drenica e ka vetëm një fitore me dy gola epërsi, 2:0 më 2014”, thuhet në njoftimin e klubit prishtinas.

“Kuqezinjtë nga këto 27 përballje kanë bilanc pozitiv prej 11 fitoreve, 7 barazime dhe 9 fitore prishtinasit. Me goldallim +1, 25:24 për Drenicën”.

“Prishtina nga 7 përballjet e fundit – 6 ka fituar prej tyre dhe 1 ka barazuar. Prej tyre 3 i ka të fituar në Drenicë. Kuqezinjtë fitoren e fundit e kanë më 2018, 1:0”.

“Duke parë këto statistika, Prishtinasit krejt çfarë duhet është që të kenë angazhim maksimal dhe finalja e 10-të e Kupës është shumë pranë”./GE

Të ngjashme