Te Zuerichu ka edhe lojtarë tjerë me COVID-19, pos Kryeziut

Prishtinë | 11 Kor 2020 | 11:07 | Nga Ekonomia Online

Klubi zviceran i futbollit, Zuerich, ka konfirmuar të shtunën se lojtarë tjerë të kësaj skuadre janë testuar pozitiv për koronavirus. Klubi nuk ka bërë të ditur emrat e lojtarëve tjerë.

Të premten mbrojtësi i Kosovës, Mirlind Kryeziu pranoi rezultat pozitiv në testin për koronavirus. Te Zuerichu luajnë edhe Benjamin Kololli e Hekuran Kryeziu, që po ashtu janë reprezentues të Kosovës. Toni Domgjoni e Shpëtim Sulejmani janë të tjerë lojtarë të kësaj skuadre.

Të gjithë lojtarët e Zuerichut janë futur në izolim të premten. Në karantinë do të qëndrojnë për dhjetë ditë.

“Dje të gjithë lojtarët dhe pjesëtarët e stafit si dhe të punësuarit në Zuerich, janë testuar për koronavirus. Rezultate tjera dolën pozitive. Të gjithë janë të izoluar në shtëpitë e tyre. Ne po iu përmbahemi të gjitha këshillave. Zuerichu është në komunikim të vazhdueshëm me SFL-në dhe tani po analizojmë se si të vazhdojmë. Nuk mund të jepen më shumë informata tani”, ka njoftuar Zuerichu.

Të ngjashme