Tetë finale për Ballkanin

Prishtinë | 11 Pri 2022 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Ballkani e ka një mundësi jetësore për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës.

Skuadra therandase ka qenë protagoniste në futbollin kosovar në vitet e fundit, por nuk ia ka dalë ende ta shijojë titullin e as Evropën.

Sidoqoftë, këtë sezon duket se ekipi “Portokalli” i është qasur punës më me seriozitet dhe është gati për ta finalizuar në mënyrën më të mirë të mundshme një sezon të gjatë dhe të lodhshëm, shkruan “Gazeta Express”.

Trajneri Ilir Daja po e udhëheq me plot sukses liderin e BKT Superligës, i cili e ka një shkëputje solide ndaj skuadrave ndjekëse.

Skuadra nga Suhareka në fakt i ka 60 pikë, 8 më shumë se dy rivalët kryesorë për titull, Drita dhe Gjilani.

Therandasit i kanë regjistruar 18 fitore, 6 fitore e 4 barazime, duke i realizuar 45 gola dhe duke i pësuar 28.

Deri në fund të sezonit, Ballkanin e presin edhe tetë finale për ta finalizuar vitin me trofeun historik.

Ballkani po ka vazhdimësi dhe po shfaq siguri, prandaj vështirë se do ta lëshojë bajrakun deri në fund.

Fitorja në tavolinë ndaj Gjilanit, 3:0 ishte momenti kyç i sezonit, shkruan “Gazeta Express”.

Duke e pasur parasysh që as skuadrat gjilanase nuk mund t’i fitojnë 8 ndeshjet e mbetura, ose më mirë të themi do të jetë e vështirë të ndodh kjo, atëherë Ballkani mund të mendojë qysh tash për festën, edhe pse deri në fund janë edhe 32 pikë në lojë.

Krahas titullit të parë të kampionit, Ballkani njëherësh do të mundë ta sigurojë edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, po ashtu hera e parë që del eventualisht në Evropë.

Të ngjashme