Tri fitore e një kualifikim në “fundjavën evropiane”

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Tri fitore dhe një skuadër e kualifikuar tutje. Ky është bilanci i “fundjavës evropiane” të hendbollit kosovar. Të shtunën e të dielën në vend janë luajtur pesë ndeshje të vlefshme për Kupat Evropiane në hendboll.

Prej tyre u fituan tri, ndërsa tutje avancoi Kastrioti i Ferizajt, skuadra me historinë më të pasur në hendbollin kosovar. Një fitore, por që nuk kishte vlerë kualifikimi, e shënoi Besa Famgas, derisa Prishtina pësoi dy humbje të thella, shkruan sot Koha Ditore.

Kastrioti i Ferizajt deri të shtunën kishte plot 16 ndeshje në gara evropiane gjatë tetë edicioneve, duke nisur nga ai 2005\06. Skuadra ferizajase nuk ia kishte dalë të fitonte asnjë prej tyre dhe rrjedhimisht të mos kalonte ndonjëherë rreth garash. Të shtunën e të dielën u përball me Tallinnin e Estonisë, që debutonte në skenën evropiane. Dhe Kastrioti ia doli të fitonte dy ndeshjet e luajtura në Ferizaj.

Dy ndeshjet u luajtën në palestrën “Bill Clinton”, në bazë të marrëveshjes mes klubeve. Ishin ndeshje të forta që u fituan ngushtë nga skuadra ferizajase. Të shtunën Kastrioti fitoi me shifrat 25:22, ndërsa të dielën me shifrat 26:25. Në të dy ndeshjet numri i shikuesve ishte mbi një mijë, ndërsa Kastrioti pati përkrahje të madhe nga tribunat. Deniz Terziqi ishte më efikasi në ndeshjen e parë me 11 gola. Në ndeshjen e dytë Lulzim Shabani udhëhoqi skuadrën me shtatë gola. Por ishte portieri Kiril Kolev që shkëlqeu në të dyja takimet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme