Tuchel vazhdon pa humbje, por Chelsea ndalet në udhëtim te Leeds United

Prishtinë | 13 Mar 2021 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Chelsea nuk ka arritur të fitojë në udhëtim te Leeds United në kuadër të javës së 29-të të Ligës Premier, pasi takimi përfundoi pa gola.

The Blues e filluan më mirë takimin, duke rrezikua pas vetë shtatë minutash lojë me anë të Kai Haverzt, por goditja e tij u ndal nga Illan Meslier.

Më pas, vendasit rrezikuan me anë të Tyler Roberts (16’), mirëpo shtylla shpëtoi Chelsean, pasi Eduard Mendy ishte i mposhtur.

Kur po përfundonte pjesa e parë, Haverzt doli edhe një herë përballë portierit, e që ky i fundit sërish bëri një pritje brilante.

Edhe 45 minutat e dytë filluan më mirë për Blutë e Londrës, me gjermanin (48’) që bëri një gjuajtje të fortë, e Meslier ishte sërish në vend.

Leeds më pas rrezikoi me anë të Raphinas, e goditja e tij në minutën e 55-të ishte si mos më keq, që përfundoi me lehtësi në duart e Mendyt.

Deri në fund, të dy skuadrat tentuan që me disa zëvendësime të reflektonin dhe të shënonin golin e fitores, por të dy portierët mohuan shanset e arta.

Pas javës së 28-të, Chelsea gjendet në vendin e katërt me 51 pikë, derisa në xhiron e 29-të do të ketë punë me Sheffield Unitedin.

Të ngjashme