Union Berlini i gatshëm për stinorin debutues në Bundesligë

Prishtinë | 17 Gus 2019 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Union Berlini gjithmonë i ka bërë gjërat pak më ndryshe dhe nuk ka plane të ndryshojë, ndonëse më në fund ka arritur skenën e madhe të futbollit gjerman.

Nga historia e trazuar e deri te stadiumi i pazakontë, kultura e tifozëve dhe festa gjatë ndeshjeve, ka shumëçka që të bën të biesh në dashuri me skuadrën që të dielën do të bëhet e 56-ta që luan në Bundesligë.

Ngritja në Bundesligë ka qenë e papritur dhe askush nuk i jep gjasa për të qëndruar, por Unioni di të befasojë.

Së pari, pak për stadiumin. “Stadion An der Alten Forsterei”, në lagjen e Berlinit Lindor, e njohur si Kopenick, është një kundërhelm sharmant për shumicën e stadiumeve të pashpirta që shumë skuadra i quajnë shtëpi, shkruan Daily Mail, përcjell sot Koha Ditore.

Ka 22 mijë ulëse, por është e jashtëzakonshme, se 18 mijë prej tyre – tri anët e fushës – janë tarraca. Lejon tifozët të krijojnë atmosferë të zjarrtë dhe kjo i ka dhënë skuadrës shpirt për të kaluar ndeshjet kyç në stinorin historik.

Të dielën pasdite, kur nis jetën në elitë kundër RB Leipzigut, stadiumi do të bëhet det me fanella kuq e bardhë dhe do të gufojë me krenari e pasion.

Stadiumi po ashtu ndihet shumë si pjesë e adhuruesve të Unionit, mbi të gjitha një numër i madh i tyre kanë ndihmuar të rindërtohet.

Në vitin 2008, kur klubi rrezikoi të humbasë licencën për shkak të tarracave të vjetra dhe gjendjes së mjerë të stadiumit, 1600 tifozë vullnetarë kanë punuar rreth 140 mijë orë për të kthyer stadiumin në standardin e pranuar.

Ajo ishte djersë e derdhur nga tifozët. Por kishte edhe gjak. Katër vjet para kësaj, klubi kishte rënë në kategori të katërt dhe ishte pranë falimentimit, tifozët dhuruan gjak dhe para për të ndihmuar klubin të mbijetojë.

Dhe do të ketë edhe disa lot këtë fundjavë. Në një lëvizje prekëse, një grup i tifozëve ka mbledhur 300 fotografi të tifozëve të Unionit dhe ish-lojtarëve që kanë ndërruar jetë.

Fytyrat e tyre do të vendosen në pano masive që do të shpaloset para ndeshjes, kështu që edhe ata që nuk janë më në mesin e të gjallëve do të ndihen pjesë e përballjes historike, të parës të klubit në Bundesligë. 

Të ngjashme