Van Persie tregon si e largoi Van Gaali nga Man Unitedi

Prishtinë | 21 Pri 2020 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Robin Van Persie ka bërë të ditur detaje nga largimi i tij nga Manchester Unitedi para pesë vjetëve, duke insistuar se ai kishte qenë i gatshëm të qëndronte deri në fund të kontratës së tij, para se të ulej në një takim me trajnerin e atëhershëm, Louis van Gaal.

Djajtë e Kuq kishin arritur ta transferojnë Robin van Persien për 22.5 milionë funte nga rivali Arsenal gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2012, kur holandezi nënshkroi kontratë katërvjeçare në Old Trafford.

Ish-ylli i ekipit kombëtar të Holandës ua ktheu investimin klubin duke i ndihmuar Sir Alex Fergusonit të fitojë titull të Premierligës në sezonin e fundit të karrierës s ëtij, duke i shënuar 26 golat në 36 paraqitjet e para për Djajtë e Kuq në Premierligë.

Megjithatë, e ardhmja e tij në klub nuk ishte kaq e mirë sa fillimi, pasi që roli i tij u zvogëlua nën trajnerin e radhës, Davi Moyes, përderisa Van Gaali më tutje vendosi ta shesë atë në Fenerbahce për 4 milionë funte.

“Unë e pata një bisedë me Louis van Gaalin dhe ai më tha: “Në rregull Robin, rrugët tona do të ndahen. Unë jam trajneri, ti je lojtari – ti duhet të shkosh, të ka përfunduar koha këtu””, tregoi Van Persie.

“Unë i thashë: “Po, por unë kam ende kontratë” e ai më tha: “S’më intereson”. Pa pikë mëshire. Gjatë fundit, unë e pashë se diçka e tillë po vinte, por s’mendoja se do të ishte kaq i pamëshirshëm”.

“Dhe mënyra se si ma tha atë…. pastaj shumë gjëra të shkojnë në mendje pasi ta marrësh një mesazh të tillë. Unë e kisha ende një kontratë, familja ime ishte e lumtur dhe ishte viti im i 11-të në Angli. Neve na pëlqente të jetonim në Angli, por çfarë tani?”

“Unë i thashë: “Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Ky është mendimi im. Por, unë e kam një kontratë dhe jam i lumtur në Angli me Manchester Unitedin. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë”. Dhe u ngrita në këmbë, ia zgjata dorën dhe u largova”.

“Gjatë rrugës për në shtëpi, unë po mendoja: “Në rregull, kjo është e vështirë”. Si duhej të reagoja ndaj një mesazhi të atillë? Pastaj më shkuan shumë gjëra në mendje dhe ne ia nisëm parasezonit. Unë nuk lejohesha të luaja në ndeshjet e skuadrës në stërvitje dhe ata vetëm ma jepnin topin dhe më thoshin të bëja vetë ndonjë gjë”.

“Unë tentoja të jem i qetë, por po ndodhnin shumë gjëra. Unë thosha se s’po më ndikonte, por në të vërtetë më ndikonte. Ndikonte te unë, te familja ime dhe te karriera ime. Tani që e mendoj, kam pasur disa situata në karrierë kur do të kishte qenë më mirë të flisja me njerëzit e afërt me mua”. 

Të ngjashme