Vdes legjenda e futbollit anglez, pasi u infektua me Coronavirus

Prishtinë | 17 Pri 2020 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Legjenda e futbollit anglez dhe Leeds Unitedit, Norman Hunter, ka vdekur në moshën 76-vjeçare pasi ishte infektuar me coronavirus.

Shkaku i këtij virusi, Hunter e kishte kaluar javën e fundit i shtrirë në spital.

76-vjeçari u dërgua në spital në fillim të këtij muaji, pasi testoi pozitiv për coronavirus. Ai i kishte shfaqur disa simptoma të këtij virusi dhe shkaku i moshës së tij, ishte dërguar menjëherë në spital për të marrë kujdes më të mirë.

“Ne mund ta konfirmojnë dhe legjenda e Leeds Unitedit dhe Anglisë, Norman Hunter, po trajtohet në spital pasi ka dalë pozitiv në testin për virusin Covid-19”, thuhej në deklaratën e lëshuar nga ish-klubi i tij, Leeds United.

“Ne duam ta shfrytëzojmë këtë rast t’ua përkujtojmë të gjithëve që t’i respektojnë kërkesat e Normanit dhe familjes së tij dhe t’u jepet atyre kohë e mjaftueshme gjatë kësaj kohe të vështirë. Vazhdo të luftosh Norman, jemi të gjithë me ty”.

Megjithatë, tashmë është konfirmuar se legjenda e futbollit anglez nuk ka mundur t’i mbijetojë këtij virusi dhe ka ndërruar jetë sot, tetë ditë pasi doli pozitiv në testin për coronavirus.

Hunter kishte luajtur 14 vjet për Leeds, duke e fituar dy herë titullin e ligës, një herë trofeun e EFL Cup dhe një herë kishte arritur në finale të Kupës Evropian në vitin 1975, kur kishte humbur 2:0 kundër Bayern Munichut. Ai pastaj kishte luajtur për Bristol Cityn dhe Barnsleyn, ku e mbylli karrierën në vitin 1982.

I njohur për stilin e tij agresiv të lojës, Hunter i bëri edhe 28 paraqitje për ekipin kombëtar të Anglisë dhe ishte pjesë e skuadrës që e kishte fituar Kupën e Botës në vitin 1966. Ai kishte qenë një kohë edhe trajner, në Barnsley në vitet 1980-84 dhe në Rotherham United në vitet 1985-87./ge

Të ngjashme