Vitesse e konfirmon: Kishin shumë oferta për Rashicën

Prishtinë | 03 Nën 2016 | 08:41 | Nga

Milot Rashica mund të largohej nga Vitesse gjatë verës pasi ofertat nuk mungonin, por klubi holandez preferoi që të mbante lojtarin edhe për një edicion tjetër.

Konfirmimi vjen nga shefi ekzekutiv i skuadrës, Jost De Vit, i cili bëri të ditur se klubi kishte sakrifikuar për të mbajtur lojtarin, edhe pse me një bilanc negativ financiar.

Rashica ishte një lojtar nga i cili Vitesse mund të fitonte disa miliona euro për të rregulluar bilancet vjetore, të cilat i ka mbyllur me një humbje prej 13 milionë eurosh.

Por De Vit tregoi se sakrifica për të mbajtur lojtarin ishte bërë sepse mendohet që në këtë edicion, ekipi do të arrijë të sigurojë pjesëmarrjen në Evropë.

“Gjatë verës ne kemi refuzuar disa oferta për Rashicën dhe Nakamban. Kishte shumë interes për ta. Kjo ishte një zgjedhje që ne e bëmë me dëshirë, pasi jemi ambiciozë dhe dëshironim të ruanim forcën e ekipit. Objektivi ynë është të sigurojmë futbollin evropian”.

“Nëse shkojmë në fazën në grupe, vetëm kjo na siguron 2,5 milionë euro. Ndaj për një klub si Vitesse, kjo zgjedhje që bëmë është e një rëndësie të veçante”, tregoi drejtuesi i klubit holandez.

Aktualisht, Vitesse është në vendin e 7 në renditjen e kampionatit, që siguron pjesëmarrjen në play-off për të siguruar një post në Evropa Ligë në edicionin e ardhshëm.

Të ngjashme