Xavi pas barazimit me Sevillën: Kjo është Barcelona që dua ta shoh, krenar me djemtë

Prishtinë | 22 Dhj 2021 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e ekipit në barazimin 1:1 me Sevillën të martën, pavarësisht se skuadra e tij luajti me një lojtar më shumë pothuajse tërë pjesën e dytë.

Papu Gomez e kaloi Sevillën në epërsi pas gjysmë ore lojë në Ramon Sanchez Pizjuan, por Ronald Araujo ia fitoi një pikë Barçës me një gol në fund të pjesës së parë, raporton Gazeta Express.

Barça e mbizotëroi Sevillën por nuk qe në gjendje ta shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë kur Jules Kounde u përjashtua nga loja direkt me karton të kuq pasi e goditi me top në mënyrë josportive Jordi Alban në minutën e 64-të.

Një fitore për skuadrën e Xavit do të kishte nënkuptuar ngritje në vendin e katërt në tabelën e La Ligas me pikë të barabarta me Rayo Vallecanon, por Barça kalon në vendin e shtatë me 28 pikë, dy larg top katërshes.

“Ne duhet të jemi më të qetë kur luajmë me një lojtar më shumë. Ne luajtëm shumë mirë në pjesën e parë dhe ekipi po rritet. Ne bëmë presion kur e humbëm topin dhe e qarkullonim më mirë atë”, tha Xavi pas ndeshjes.

Xavi beson se Barçës i mungoi fati por ndihet krenar me lojtarët pavarësisht barazimit.

“Ne kishim nevojë të fitonim për t’u futur në zonën e Ligës së Kampionëve, por unë jam krenar pavarësisht barazimit. Sonte nuk ishim me fat. Jam krenar me të gjithë. Kjo Barcelonë po duket si ekipi që dëshiroj ta kem”, shtoi ai. 

Të ngjashme