Xavi: Tash e tutje do të ketë rregull në Barcelonë, s’e pranoj humbjen as barazimin

Prishtinë | 08 Nën 2021 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Xavi Hernandez i ka paralajmëruar lojtarët e Barcelonës se nën udhëheqjen e tij do të ketë rregull në zhveshtore dhe se ai nuk do të pranojë asgjë tjetër përveç fitores.

Xavi u prezantua dhe nënshkroi kontratë si trajner i Barcelonës – me kohëzgjatje deri në vitin 2024 – përkrah presidentit të klubit Joan Laporta të hënën në Camp Nou.

Barça e mori dritën e gjelbër për emërimin e tij të premten, pasi e pagoi klauzolën e lirimit në kontratën e 41-vjeçarit me klubin e Katarit, Al-Sadd.

Xavi, i cili luajti 17 vjet për Barcelonën duke i fituar 25 trofe në 767 paraqitje, u prezantua të hënën para mijëra shikuesve në Camp Nou.

Duke folur gjatë prezantimit, Xavi tha: “Ky është klubi më i madh në botë dhe unë do të punoj fort për t’i përmbushur pritjet tuaja. Barcelona s’mund ta pranojë barazimin apo humbjen. Duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”

“ADN-ja ime nuk ka ndryshuar. Ne duhet ta kemi lojën në kontroll, ta mbajmë topin, të krijojmë raste shënimi dhe të jemi intensivë. Misioni ynë është t’i shpëtojmë shumë gjëra që kanë humbur”, theksoi ai.

“Ne duhet ta nisim me rregulla të reja të cilat do të jenë të rrepta. Nuk është puna të qenit i fortë, por për të pasur norma”, nënvizoi ai.

“Kur ne kishim norma në zhveshtore, gjërat shkonin shumë mirë, kur nuk kishim, nuk shkonin. Prandaj, ne kemi nevojë për rregull. Të jemi profesionistë”, shtoi ai.

Xavi do ta marrë në dorën Barçën në vendin e nëntë në tabelën e La Ligës, me 11 pikë larg liderit Real Sociedad dhe gjashtë pikë larg top katërshes.

Ndeshja e tij e parë si trajner i Barcelonës do të jetë kundër Espanyolit më 20 nëntor në Camp Nou.

Të ngjashme