Xhudistët të gatshëm për garën elitare të fundvitit

Prishtinë | 12 Dhj 2019 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Xhudistët kosovarë janë plotësisht të gatshëm për garën e fundit të këtij viti, atë të Mastersit që do të mbahet këtë javë në Qingdao të Kinës. Përgatitjet e fundit për këtë garë elitare xhudistët i kanë kryer në Slloveni, kurse të mërkurën kanë mësuar shortin për garën ku paraqiten vetëm top-xhudistët e ranglistës botërore në të gjitha kategoritë.

Ekipi i Kosovës në Qingdao do të përfaqësohet me tre garues, dy në konkurrencën e femrave dhe një te meshkujt, kurse garat do t’i zhvillojë gjatë ditës së enjte dhe premte, shkruan sot Koha Ditore.

Distria Krasniqi (-48 kg) dhe Nora Gjakova (-57 kg) do të garojnë të enjten (sot), kurse Akil Gjakova (-73 kg) një ditë më vonë, të premten. Përderisa Nora e Akili nuk kanë pasur fat në short, Distria vlerësohet se e ka rrugën më të lehtë për te medalja, sipas trajnerit Driton Kuka. Dy xhudistët e tjera, Majlinda Kelmendi e Loriana Kuka, janë lënë të lira me vendim të trajnerit.

Mastersi është garë shumë e fortë dhe përveç botërorit jep më së shumti pikë olimpike, ndërsa synimi i garuesve të Kosovës është që të marrin pikët e nevojshme për të siguruar normën për paraqitje në lojërat olimpike “Tokio 2020”.

Përderisa vendi i parë në botëror siguron dy mijë pikë, Mastersi ofron vetëm dyqind më pak, 1.800, dhe sipas Kukës, kjo e bën këtë ndër garat më të forta të xhudos.

Të ngjashme