Sportistët dhurojnë gjak në Ditën Ndërkombëtare të Sportit

Prishtinë | 06 Pri 2019 | 12:17 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Ditën Ndërkombëtare të Sportit, Komuna e Prishtinës ka organizuar aksionin e dhurimit të gjakut nga klubet sportive, OJQ-të dhe të rinjtë e kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.

Fitim Rexha, drejtor i Drejtorisë për Sport në Prishtinë, tha se numri i dhuruesve të gjakut është i kënaqshëm dhe për më shumë së një orë gjak kanë dhuruar rreth 50 persona.

Sot është 6 prilli, Dita Ndërkombëtare e Sportit për zhvillim dhe paqe dhe ne këtë ditë kemi dashur ta shënojmë me një simbolikë të tillë të dhurimit të gjakut në nderim të të gjithë sportistëve që kanë kontribuar në sportin e Kosovës, në veçanti për Fadil Vokrrin, por edhe gjithë tjerët që kanë dhënë kontribut për sportin. Me një simbolikë të tillë ne nderojmë këtë ditë dhe i nderojmë edhe ata.

“…Sot ka qenë një përgjigje shumë e kënaqshme e sportistëve meqenëse shumë klube sot kanë pasur edhe aktivitetet e tyre. Edhe nga transfuzionin kemi informata që ka qenë një pjesëmarrje shumë e mirë dhe ata kanë grumbulluar sasi të konsiderueshme të gjakut. Deri më tash rreth 50 kemi informata që është dhurimi i gjakut. Ne kemi filluar rreth orës 10:00 dhe deri në dhuruesin e fundit do jemi këtu”.

Fadil mahmuti, menaxher për marketing dhe informim i Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut, tha se ka pasur pjesëmarrje të kënaqshme të dhuruesve të gjakut ndërsa porositi që të dhurohet gjak që të shpëtohet një jetë.

“Nëse nisemi nga ajo se dita e mirë shihet në mëngjes, një numër i konsiderueshëm i sportistëve kanë dhënë gjak dhe shpresojmë që gjatë ditës të rritet ky numër.  Meqenëse kërkesat për gjak janë jashtëzakonisht të mëdha ne gjendemi zakonisht në aksione të tilla si ky sot. Kërkesat janë të mëdha dhe apeli ynë është “Dhuroni gjak, shpëtoni jetë”, tha ai për Ekonomia Online.

Mensur gashi, kryetar i shoqatës Bjeshkatare Alpiniste “Shkëmbi”, tha se dhurimi i gjakut për ta është shndërruar në traditë, për çka ai thotë se që nga 2015-ta kanë vendosur që të dhurojnë gjak çdo gjashtë muaj.

“Sot jemi afërsisht dhjetë persona të cilët në formë tradicionale kisha thënë, të organizuar japim gjak si shoqatë. Po shpresoj që ka me iu deshtë dikujt. Nuk mundem pa e përmend një rast. Një dajë i imi është doktor në gjinekologji dhe ai shpesh herë merr shembull sa i nevojshëm është gjaku. E ka specifiku një rast që mua më ka bërë të vendosur që jo vetëm një herë në vit qysh kemi dhënë deri tash, por me provu edhe çdo gjashtë muaj me arsyen se një nënë ishte shumë keq në gjinekologji dhe iu kanë dashut diku 50 doza që ajo sot të jetë gjallë dhe fëmija i saj. Kështu që gjaku është shumë i nevojshëm për spitale tona kështu që kisha bë apel kushdo që gëzon një shëndet të japë gjak”, u shpreh ai.

Të ngjashme