Vlora Vuqiterna, asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Rahovecit, i ka kërkuar bashkëpartiakut të saj, ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, sigurimin e ilaçit Trikafta (Kaftrio) për pacientët me fibrozë cistike.
Asamblistja e LVV-së në Rahovec i lutet ministrit Arben Vitia që të sigurojë terapinë për pacientët me fibrozë cistike

Sipas saj, shumë familje me fëmijë më këtë diagnozë po detyrohen të mendojnë për migrim nga vendi për shkak se kjo terapi është jetike për trajtimin e sëmundjes.
“Si bashkëpartiake e juaja, por mbi të gjitha si nënë e një vajze që jeton me fibrozë cistike, në emër të të gjithë fëmijëve dhe familjeve që përballen çdo ditë me këtë sëmundje, ju bëj thirrje që kërkesën e Shoqatës së Fibrozës Cistike ta merrni seriozisht dhe ta trajtoni me urgjencën që meriton sepse është e disata here qe kemi dërguar kërkesë.” – shkroi ajo.
Ajo po ashtu tha se barnat dhe trajtimet që tashmë janë të qasshme për shtetet e rajonit, duhet të jenë të qasshme edhe për fëmijët e pacientët në Kosovë.
“Ata nuk meritojnë të kenë më pak mundësi për të jetuar vetëm pse kanë lindur në Kosovë.” – u shpreh Vuqiterna.
Siç tha ajo, e dinë se kostoja e terapisë është e lartë, por nga ana tjetër tha se janë në dijeni që buxheti i shëndetësisë është duke u rritur, andaj sipas saj, shëndeti i fëmijëve duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore.
Ajo potencoi se mbi 170 pacientë kanë qenë të regjistruar e rreth 60 pacientë janë aktivë me sëmundjen për momentin.
“Nuk duam të marrim te njejtën rrugë edhe ne… Po tentojme tash e disa vite nëpermjet kërkesave te vazhdueshme me shpresë se do realizohen! Edhe sa duhet të presim?!” – theksoi ajo.
Në fund ajo i bëri thirrje ministrit Vitia që të dëgjojë çdo kërkesë të qytetarëve, pasi pas çdo kërkese, sipas saj, qëndron zëri i një fëmije, nëne, familjeje e një beteje të përditshme për jetën.
“Fëmijët tanë kanë nevojë për Kaftrio. Fëmijët tanë kanë te drejte të marrin frymë!” – përfundoi ajo.

















