Ekonomia Online
FUNDIT

Nga mesazhet mashtruese te hetimi: Si i heton Policia mashtrimet online?

Nga mesazhet mashtruese te hetimi: Si i heton Policia mashtrimet online?

Një SMS ju kërkon t’i përditësoni të dhënat bankare që të vazhdoni t’i përdorni shërbimet e bankës. Një tjetër ju njofton se keni një pako në pritje ose një gjobë trafiku për të paguar. Sipas Policisë së Kosovës, kërkesa për përditësimin e të dhënave bankare ka qenë forma më e shpeshtë e mashtrimit me SMS ndër rastet e raportuara nga qytetarët.

“Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë rënë viktimë e këtyre mesazheve me përmbajtje mashtruese”, thotë Fadil Abdyli, shef i hetimeve të krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ai nuk dha shifra për numrin e viktimave.

Këto mashtrime njihen si smishing. Mesazhi duket sikur vjen nga një institucion i besueshëm dhe mund ta drejtojë marrësin te një lidhje ku i kërkohen të dhëna, si numri i kartelës bankare ose kodi i saj i sigurisë. Kur mesazhi dërgohet në emër të Postës, kërkesa për të konfirmuar adresën e dorëzimit mund të shoqërohet me një kërkesë për të dhënat e kartelës.

“Asnjë institucion serioz nuk të kërkon me mesazh numrin ose të dhënat e bankës”, thotë Abdyli.

Sipas tij, një skemë e ngjashme përdoret edhe në platformat e shitblerjes online.

Dikush paraqitet si blerës dhe i kërkon shitësit numrin e kartelës dhe kodin e sigurisë, me arsyetimin se i duhen për ta paguar produktin. Mashtruesit mund t’i përdorin të dhënat e kartelës për të bërë pagesa në emër të viktimës dhe të dhënat personale për t’u paraqitur me identitetin e saj.

Nëse dikush i ka dhënë të dhënat e kartelës përmes një lidhjeje të dyshimtë, Abdyli thotë se hapi i parë është ta njoftojë menjëherë bankën që ta bllokojë kartelën. Për ta raportuar rastin në Polici, ai këshillon ta ruajë mesazhin dhe pamjet e ekranit.

“Duhet të kemi linkun, duhet të kemi datën dhe kohën, duhet të kemi përmbajtjen e mesazhit”, thotë ai.

Këto të dhëna, shpjegon Abdyli, e ndihmojnë Policinë të përcaktojë si ka ndodhur mashtrimi dhe nëse ka bazë për ta nisur hetimin me autorizim të prokurorit. Hetimi mund të kërkojë bashkëpunim me bankat dhe me policitë e vendeve të tjera.

Autori mund të jetë në një shtet, viktima në një tjetër dhe infrastruktura e përdorur për mashtrim në një të tretë. Për shkak se në hetim mund të përfshihen edhe autoritete të huaja, Abdyli thotë se “nuk është një punë që mund të kryhet menjëherë”.

I pyetur nëse pas mesazheve të raportuara së fundi qëndrojnë autorë nga Kosova apo nga jashtë, Abdyli nuk dha hollësi, duke iu referuar proceseve hetimore.

Ai tha se ka pasur raste kur paratë e humbura nuk janë kthyer. Shtoi se në trajtimin e këtyre rasteve, përveç Policisë, përfshihen edhe institucione të tjera.

Policia trajton edhe kanosje dhe ngacmime në rrjetet sociale. Kur një llogari mbyllet pas një kërcënimi dhe personi i kërcënuar nuk e ka ruajtur lidhjen e profilit, hetimi bëhet më i vështirë, thotë Abdyli.

“Policia e Kosovës ka kontakte të drejtpërdrejta me platformat kryesore”, thotë ai. Këto platforma operojnë nën juridiksione të tjera, por Policia mund t’u kërkojë të dhëna nëpërmjet kanaleve zyrtare në raste serioze, si kërcënimet për jetën. Sipas Abdylit, platformat mund ta ndihmojnë Policinë të identifikojë personat që dyshohet se qëndrojnë pas këtyre profileve. I pyetur konkretisht për bashkëpunimin me Meta-n, ai foli për platformat në përgjithësi.

Rastet e shpërndarjes së materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve trajtohen kryesisht në nivel qendror për shkak të ndjeshmërisë së tyre dhe nevojës për bashkëpunim ndërkombëtar.

Abdyli thotë se Policia bashkëpunon me një platformë me bazë në Shtetet e Bashkuara, e cila “grumbullon informata ose raporte kur materialet me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve shpërndahen përmes internetit”. Ai shpjegon se Policia merr raportime për raste kur shpërndarja ka ndodhur në Kosovë. Sipas tij, ky bashkëpunim e ka ndihmuar Policinë të identifikojë dhe të arrestojë persona të dyshuar.

I pyetur për gatishmërinë e Kosovës për t’u përballur me një sulm më të madh kibernetik, Abdyli e kufizoi përgjigjen te kapacitetet e Policisë. Ai thotë se Policia ka ekipe në rajonet policore dhe në nivel qendror për të hetuar veprat penale që kryhen përmes internetit.

Sipas tij, parandalimi kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm me ekipin shtetëror për reagim ndaj incidenteve kibernetike, ofruesit e internetit dhe institucionet financiare.

“A mund të themi se jemi të sigurt 100%? Natyrisht se nuk mund të themi”, thotë Abdyli.

Të ngjashme