Sqarohet Loshi: S’jam larguar nga VV, jam distancuar nga punësimet familjare në Qeveri

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 21:14 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Vetëvendosje, Liri Loshi, ka sqaruar deklaratën e mëhershme lidhur me punësimet në qeveri të familjarëve të politikanëve të Vetëvendosjes.

Liri Loshi tha se nuk është larguar nga Vetëvendosje, por vetëm është distancuar nga punësimet apo emërimet në qeveri të familjarëve të politikanëve.

“Portalet me paskan larguar nga Lëvizja Vetëvendosje!!! Nuk është e vërtetë që jam larguar, apo që më kanë larguar. E vërteta është se jam distancuar nga punësimet, apo emërimet në qeveri të familjarëve të politikanëve me profil të lartë në Vetëvendosje. Mendoj se të keqen duhet identifikuar dhe luftuar më kohë dhe koha më e mirë është sapo të paraqitet ajo”, ka shkruar Loshi.

“Rahatoni ju familjarët e juaj qaty në qeveri e ne po i mbajmë sytë mbyllur. Kur të kryhet loja, tregoni! Mirë e keni nisë boll”, thuhet në postimin e tij.

“Dy gjera që jemi zotu me i luftu kanë qenë korrupsioni dhe nepotizmi. Ju e keni nisë prej kësaj të dytës, veçse jo me e luftu, por me e trashë. Babai im thoshte: puna mbarë pa mua!”, deklaroi ai.

Reagimi i tij vjen pas raportimeve në medie se xhaxhai i Glauk Konjufcës, Rabit Konjufca, është punësuar si këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes.

Të ngjashme