Pas një remonti kompleks, “Njësia B1” e Termocentralit “Kosova B” është kthyer në prodhim. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nga sot është në prodhim me kapacitete të plota. Prodhimi vendor nga termocentralet e KEK-ut, sot është rreth 800 megavat orë energji elektrike.
“Kemi përfunduar me sukses një proces shumë sfidues dhe kompleks të riparimit të Turbinave dhe Gjeneratorit në njësinë “B1”. Gjatë dy ditëve të fundit janë kryer me sukses të gjitha testet e komisionit në sistemin e Turbinave dhe Gjeneratorit. Kurse dje është bërë ndezja e sistemit te kaldajës, proces ky i cili pastaj ka vazhduar me komisionimin e nxehte në sistemin e turbinave, gjeneratorit G1 dhe pas testimit të suksesshëm, pas mesnatës të datës 12.12.2018 është bërë sinkronizimi i “Njësisë B1” në sistem”, ka thënë Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi.
Sipas tij, falë angazhimit maksimal të të gjithë akterëve në proces, lëshimi në operim i kësaj njësie është bërë dy ditë para planit dinamik të paraparë.
“Për informim, sot nga ora 01.54 e mëngjesit KEK është duke prodhuar me kapacitetin maksimal prodhues në termocentralet e “Kosovës A” dhe “Kosovë B”, respektivisht me njësit gjeneruese A3, A4, B1 dhe B2 dhe me kapacitet maksimal prodhues prej 800 megavat orë energji elektrike”, ka bërë të ditur Thaçi.
Ndryshe, Korporata Energjetike e Kosovës është e licencuar vetëm për prodhim të energjisë elektrike dhe e cila operon konform licencës, ndërsa përgjegjësin për shpërndarje dhe furnizim, duke përfshirë edhe importin kur konsumi është me i madh sesa prodhimi e kanë kompanitë tjera të licencuara në treg, në këtë rast, KEDS / KESCO si operator i shërbimeve universale.