Vedat Muriqi po vazhdon t’i mahnitë të gjithë me statistikat impresionuese. Ylli kosovar i ka zhvilluar 990 minuta në 11 ndeshje brenda 68 ditësh. Ai i ka realizuar 5 gola për Fenerbahçen këtë sezon dhe 3 për Kosovën në muajt shtator e tetor
Vedat Muriqi po e vazhdon formën impresionuese të sezonit të kaluar, të cilën e kishte shfaqur me ekipin Rizespor.
Sulmuesi kosovar i ka realizuar 5 gola në 9 ndeshje me Fenerbahçen këtë sezon, në sezonin e tij më të mirë në karrierë në nëntë xhirot e para.
Ai e ndihmoi ekipin nga Stambolli t’i regjistrojë dy fitore radhazi dhe të ngritet në tabelë.
Muriqi i ka zhvilluar nga 90 minuta në të gjitha ndeshjet.
Vedati i ka zhvilluar 11 ndeshje në 68 ditë, duke treguar se mund të luajë pa problem për plot 90 minuta.
25 vjeçari thotë se të gjitha këto i ka arritur për shkak të jetës së një profesionisti, por edhe punët ekstra që e bën.
Sezonin e kaluar, ai i kishte kompletuar të gjitha ndeshjet duke luajtur nga 90 minuta, respektivisht 33 sosh.
Ai ishte zëvendësuar vetëm në duel me Goztepen, kur i kishte zhvilluar 64 minuta.
Në edicionine kaluar me Rizesporin sulmuesi prizrenas i kishte shënuar 17 gola në Superligën turke, ndërsa këtë edicion synon ta thyejë këtë rekord personal.
Përfaqësuesi kosovar është i gjatë 194 centimetra dhe ai po e shfrytëzon mjaft mirë këtë avantazh.
Muriqi i kishte mesatarisht 4,8 topa të fituar në ajër në 9 ndeshjet e para në fanellën e Fenerbahçes.
Ai i realizoi tre gola në po aq ndeshje për Kosovën në kualifikimet e Euro 2020, në shtator realizoi ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë dhe në muajin tetor kundër Malit të Zi në stadiumin “Fadil Vokrri”.