Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka thënë se si grup parlamentar, e kanë mbështrtur iniciativën për themelimin e komisionit hetimor nga ana e opozitës.
Sipas saj opozita nuk ka mundur të qartësoj veprimet, siç ka thënë të drejta dhe adekuate të ndërmarra nga qeveria në raport me meanxhimin krizës energjetike.
Statovci ka treguar vlerën e importit nga viti 2008 deri në vitin 2013. Ajo ka thënë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka blerë energji elektrike edhe nga GEN-i Beograd në vlerë 82.2 milionë euro, ndërmjet viteve 2008-2013.
“Të dhënat e importit të energjisë, figuron se Korporata Energjetike e Kosovës dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë blerë energji elektrike edhe nga GEN-i Beograd në vlerë 82.2 milionë euro, ndërmjet viteve 2008-2013; EFT Group – Kosova ka importuar 142 milione euro nga EFT. Kompania ështe pronë e bzinesmenit serb Vuk Hamović”, ka thënë ajo
Ajo ka prezantuar edhe vendimet që ka ndërmarrë Qeveria në kohën e krizës energjetike.
“Pa u bërë 1 muaj nga formimi i qeverisë Kurti 2, është rishapallur konkursi për emërimin e kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të ZRRE-së. Nga gushti deri në tetor 2021 ka qenë i hapur procesi i shqyrtimi të rregullt tarifor nga ZRRE. Në tetor KESCO ka bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor, e cila nga ZRRE është vlerësuar se nuk i përmbush kushtet dhe është refuzuar.
Më 2 nëntor Ministria e Ekonomisë ka themeluar TASK FORCËN Teknike për Masat në rast të Krizës Energjetike.
Në dhjetor është hapur shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave, i cili është përmbyllur në shkurt. 17 dhjetor 2021 Qeveria ka ndarë 20 milionë euro për Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike. 24 dhjetor 2021: Qeveria e Kosovës miratoi masat emergjente për furnizimin me energji; 21 janar 2022 Qeveria ka ndarë edhe 10 milion euro shtesë, 5 shkurt 2022 Qeveria zotohet për ndarjen e 90 milion eurove, 8 shkurt Bordi i ZRRE aprovon tarifat e reja”, tha tutje Statovci.
“Pra, mund të konstatojmë se veprimet e qeverisë ishin në hap me kohën dhe mundësitë që kishte në dispozicion, pasi situata nuk ishte lehtë e parashikueshme; vlenë të theksohet këtu se edhe Bashkimi Evropian Veprimet e para për përballje me krizën energjetike i kishte ndërmarr me 13 tetor 2021, duke publikuar Udhëzuesin për trajtimin e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike”, tha tutje ajo.
Statovci tutje ka thënë se pretendimet e opozitës për keqpërdorim të energjisë elektrike nuk qëndrojnë. Sipas saj, opozita nuk ka mundur për gjashtë muaj sa ka zgjatur komisioni hetimor, nuk ka mundur të gjejë ndonjë fakt që shpërfaq keqmenaxhimin nga ana e Qeverisë.
“Për gjashtë muaj, Komisioni Hetimor nuk ka arritur ta gjejë edhe një fakt që e ndërlidhë Qeverinë e Kosovës për akuzat e opozitës në lidhje me keqmenaxhimin e krizës energjetike. Gjatë gjithë kësaj periudhe opozita ka ngrituar akuza gjëja për importin dhe tregtinë e energjisë elektrike me Serbinë, si dhe gjëja për përfshirjen e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj në këtë proces. Për gjashtë muaj hetim, me mijëra dokumente në dispozicion, me intervistimin e dëshmitarëve kyq të përfshirë në vendimmarrje, nuk eshte arritur të argumentoj asnjërën akuzë të pretenduar. Pra në raportin që e kemi sot për shqyrtim nuk ka asnjë shenim dhe të gjetur, as për Martin Berishajn e as për tregtimin e supozuar me Serbinë, kësisoj, për gjashtë muaj pa asnjë rezultat konkret”, u shpreh Statovci.