Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është promotor i zhvillimit ekonomik të vendit. Ky sektor, në pesë vjetët e fundit, ka shënuar rritje në 23.5 për qind në Kosovë.
Kështu tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në një ligjëratë me studentët e Kolegjit Riinvestit me temën “Teknologjia Informative si promotor i zhvillimit”.
Ai ka theksuar se sot, pothuajse të gjitha fushat, kanë lidhje me sektorin e TIK-ut. Përparësi tjetër, është se kjo punë mund të kryhet edhe nga largësia.
“Gjendja e ekonomisë, mungesa e vendeve të punës por edhe ajo që sot e kemi parë në shumë shtete janë me mijëra vende në sektorin e TIK-ut, të cilat janë të qasshme për të gjithë njerëzit. Përparësia e TIK-ut është që edhe në largësi mund të bëhen pumë shumë të mira që të rinjtë tonë mund të punësohen ose të gjejnë iniciativa me të cilat ata mund t’i plasojnë idetë e tyre në këtë rast më formën e shërbimeve dhe produkteve edhe jashtë vendeve”, ka thënë Stavileci.
Ai tha se duke qenë të fokusuar më shumë në projekte të mëdha është munduar jo me nënvlerësua sektorin e TIK-ut, por përkundrazi është munduar me vendos në dritën e reflektorëve si mundësinë më të mirë edhe për ekonominë tonë, por edhe për të rinjtë tonë.
“Ne gjithmonë flasim për një bilanc tregtar negativ. I vetmi sektor që sot ka bilanc pozitiv është sektori i shërbimeve. Ne gjithmonë flasim për një stagnim bile fusha në të cilat nuk ka rritje në industri të caktuara ose maksimalisht një rritje shumë e vogël. Në sektorin e TIK-ut në pesë vjetët e fundit kemi një rritje prej 23.5 për qind dhe kur kësaj ia shtojmë potencialin e rinisë sonë njërën prej atributeve kryesore qe flasin gjuhë të huaja mbi të gjitha jemi më të adaptueshëm në teknologjinë e informacionit”, ka thënë Stavileci.
Stavileci paralajmëron qendra të ekonomisë kreative në bashkëpunim me “Microsoftin”
Revolucioni i katër industrial është ekonomia digjitale. TIK sot në tërë botën po bën ndryshime, po dëshmon që do të jetë ndryshues i kursit të ekonomisë. Iniciativat e sektorit privat pavarësisht buxhetit mund t’i japin tjetër kurs zhvillimit edhe në vendin tonë, ka deklaruar mes tjerash ministri i Zhvillimit Ekonomik.
Duke u ndalur te hapat konkret që MZHE ka ndërmarrë, ai ka përmendur inkubatorin prej 4 mijë metra katrorë për Start-Up, platformën WOW (Gratë në Punë Online), qendrat e ekonomisë kreative dhe inovacionit dhe një platformë për të rinjtë në TIK.
“Sa i përket akceleratorëve, javën e kaluar kam marrë prej Microsoft një koncept dokument. Fillimisht do të nisim me TIK dhe më vonë me inovacion, në kuadër të një platforme që në tërë Kosovën do të ketë qendra të ekonomisë kreative dhe inovacionit”, tha Stavileci, duke shtuar se Microsoft do të bashkërendit të gjitha aktivitetet, ndërsa MZHE do të participojë me fonde, bashkë me donatorë të tjerë si BB dhe BERZH.
Më tej Ministri Stavileci ritheksoi se në kuadër të programit të ekonomisë dixhitale përfshihen tri shtylla: infrastruktura digjitale; bizneset digjitale dhe shkathtësi digjitale.
“Në kuadër të shkathtësive digjitale do ta promovojmë platformën për edukimin e të rinjve që u dedikohet nxënësve nga klasa e 6 deri 9 (e- learning) me çka ata përgatiten me sfidat e të ardhmes në fushën e IT. Disa prej këtyre programeve vetëm i kemi etablu dhe kemi ndarë fondet, derisa disa tjera do të nisin nga fillimi dhe të gjithë ata që kanë ide të mira të përkrahen financiarisht”, tha ai.
I pari i MZHE-së, tha se në sektorin privat si TIK-u ka mundësi më të shumta të punësimit kur kemi parasysh faktin se shumë të rinj e të reja kanë krijuar platforma, shërbime dhe produkte që krijojnë qarkullime milionëshe, ndërsa kanë filluar si start-up të mbështetura me shuma të vogla financiare.
Sa i përket dokumenteve strategjike, Stavileci tha se është aprovuar Strategjia Kombëtare për TIK me nëntë shtylla, ndërsa krahas kësaj përmendi edhe programin KODE (Kosovo Digital Economy).