Stella dhe Sani, njihuni me karakteret e parë në 3D animacion në gjuhën shqipe

Prishtinë | 20 Nën 2020 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Në prag të Ditës së Alfabetit shpaloset videoja e parë 3D kushtuar alfabetit shqip për të gjithë fëmijët.

Stella dhe Sani janë heronjtë e animacioneve të para 3D në gjuhën shqipe dhe kanë për qëllim edukimin e më të rinjve duke krijuar material me cilësie të lartë, me çka do afirmohet gjuha amtare, si dhe do të zhvillohet imagjinata fëmijërore me muzikë dhe lojëra adekuate për moshën e tyre.

Ky projekt vjen në momentin e duhur, kur imagjinata e lirë e fëmijëve dhe padyshim edhe e të  rriturve, është më e nevojshme se kurrë dhe është kyçe për zhvillimin e fëmijës në ato vite jashtëzakonisht të rëndësishme.

Projekti shpaloset në prag të Ditës së Alfabetit, 22 nëntor, me një video origjinale e cila pritet të jetë kënga e preferuar e çdo fatosi.

“E pritëm këtë datë për të filluar projektin Stella dhe Sani që nisma të ketë jehonë edhe më të madhe dhe Dita e Alfabetit në vitin 2020 të festohet me një këngë dhe video të veçantë për shkronjat tona të arta. Përpos kësaj video, në vijim do ketë edhe video të tjera që përfshijnë: mësimin për kafshët, nxitja e shprehive për higjienë personale dhe rruajtjen e mjedisit jetësor, shoqëri dhe bashkëjetesë multietnike, tolerancë dhe miqësi, mësim i ngjyrave, sendeve, rrethinës etj”, shprehet Bleta Begu, një nga udhëheqëset e projektit.

Videon e parë për shkronjat e gjuhës shqipe mund ta shikoni në kanalin e YouTube të “Stella dhe Sani”.

https://youtu.be/yCQhVr8jKiA

Tekstet e këngëve në shqip janë të shkruar nga gazetari, aktivisti dhe tekst-shkruesi Petrit Saraçini.

“Kur bëhesh prind e kupton mungesën e materialeve në gjuhën amtare dhe prandaj fëmijët zgjedhin materiale në gjuhë të huaj. Me shumë kënaqësi e pranova ftesën për projektin “Stella dhe Sani” që të bëjmë diçka cilësore për fëmijët tanë dhe gjeneratat që vijnë. Nuk ka dyshim që këta do jenë miqtë më të mirë të fëmijëve, shumë shpejt”, shprehet Petriti.

Nëse dëshironi të njiheni me Stellën dhe Sanin dhe të jeni pjesë e aventurave të tyre, ndiqeni kanalin e YouTube ku do të merrni njoftime për çdo video të re. Pjesë të tregimeve të dy heronjve si dhe ide për lojëra dhe mësim do të gjeni në faqen në Facebook të Stella dhe Sani si dhe në profilin në Instagram.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme