NATO-ja mbështet integritetin territorial të Bosnjës dhe është e shqetësuar nga “ndërhyrja e huaj keqdashëse”, duke përfshirë Rusinë, në rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit që kaloi një luftë shkatërruese në vitet 1990, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sarajeva është ndalesa e parë e turneut të Stoltenberg në vendet e Ballkanit Perëndimor që do të përfshijë gjithashtu Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Aleatët mbështesin fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës”, u tha Stoltenberg gazetarëve. “Ne jemi të shqetësuar nga retorika secesioniste dhe përçarëse, si dhe nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përfshirë Rusinë.”
Ekziston frika e përhapur se Rusia po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të rajonit dhe kështu të zhvendosë të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga agresioni i saj ndaj Ukrainës, shkruan Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
Moska po mbështet hapur secesionistin, presidentin serb të Bosnjës pro-rus, Milorad Dodik, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për shpërbërjen e vendit dhe bashkimin e gjysmës së Bosnjës të kontrolluar nga serbët me Serbinë fqinje.
“Kjo kërcënon të minojë stabilitetin dhe pengon reformën”, tha Stoltenberg. “Të gjithë liderët politikë duhet të punojnë për ruajtjen e unitetit, ndërtimin e institucioneve kombëtare dhe arritjen e pajtimit. Kjo është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.”
NATO luajti një rol të madh në përfundimin e luftës në Bosnje të viteve 1992-1995 dhe zbatimin e një plani paqeje të sponsorizuar nga SHBA-ja që e ndau vendin afërsisht në dy rajone shumë autonome, një i kontrolluar nga serbët e Bosnjës dhe tjetri nga boshnjakët, të cilët janë kryesisht myslimanë, dhe kroatët e Bosnjës.
“NATO ka vite që është e përkushtuar ndaj Bosnje-Hercegovinës”, tha Stoltenberg. “Siguria juaj ka rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ka rëndësi për Evropën.”
Udhëheqja serbe e Bosnjës ka bllokuar prej vitesh aplikimin e Sarajevës për anëtarësim në NATO, diçka e kundërshtuar edhe nga Rusia.
Stoltenberg tha se kjo duhet të marrë fund. “Çdo vend ka të drejtë të zgjedhë aranzhimet e veta të sigurisë pa ndërhyrje të huaja,” tha ai.