Stoltenberg: NATO do t’i bashkohet koalicionit anti-ISIS

Prishtinë | 25 Maj 2017 | 13:35 | Nga

NATO do t’i bashkohet zyrtarisht koalicionit global kundër organizatës terroriste ISIS, por nuk do të përfshihet në operacione luftarake, tha Stoltenberg.

NATO do t’i bashkohet zyrtarisht koalicionit global kundër organizatës terroriste ISIS, por nuk do të përfshihet në operacione luftarake, tha të enjten Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg.

Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel para Samitit të Liderëve që do të mbahet në selinë e NATO-s, Stoltenberg tha se udhëheqësit e NATO-s të enjten do të miratojnë një plan veprimi të ri për ta avancuar luftën kundër terrorizmit, i cili do të përfshijë anëtarësimin e NATO-s në koalicionin global kundër DEASH-it.

“Kjo do të dërgojë një mesazh të fuqishëm politik për angazhimin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit dhe do të përmirësojë koordinimin brenda koalicionit, por kjo nuk do të thotë se NATO do të angazhohet në operacione luftarake”, tha ai.

Teksa NATO si bllok nuk u bashkua më parë me koalicionin anti-DEASH, të gjitha 28 vendet anëtare të saj ishin anëtarë individualë të koalicionit të formuar në vitin 2014.

Stoltenberg tha se anëtarësimi i NATO-s në koalicion do të sigurojë një platformë më të mirë për koordinimin e përpjekjeve të NATO-s dhe anëtarëve të koalicionit në luftën kundër DEASH-it.

“Sot do të vendosim të zgjerojmë mbështetjen tonë për koalicionin, me më shumë kohë fluturimi të AWACS (Sistemi Ajror i Paralajmërimit të Hershëm dhe Kontrollit), më shumë ndarje informacioni dhe rimbushje me karburant përmes aviotankerëve”, tha ai, duke shtuar se NATO do të rrisë ndarjen e inteligjencës në luftën kundër terrorizmit.

“Ne do të pajtohemi të krijojmë një qelizë të re të inteligjencës lidhur me terrorizmin këtu në selinë e NATO-s, duke përmirësuar atë se si e ndajmë inteligjencën, përfshirë edhe atë lidhur me luftëtarët e huaj. Dhe ne do të vendosim të emërojmë një koordinator për të mbikëqyrur përpjekjet e NATO-s në luftën kundër terrorizmit”, tha Stoltenberg.

Forcat lokale

Stoltenberg gjithashtu sinjalizoi se NATO mund të luajë rol më të fortë në trajnimin e forcave lokale që luftojnë kundër ISIS-it.

“Trajnimi i forcave lokale është një nga armët më të mira në luftën kundër terrorizmit. Ne tashmë jemi duke trajnuar forcat irakiane”, shtoi Stoltenberg.

Ndryshe, udhëheqësit nga 28 shtete anëtare të NATO-s mblidhen sot në Bruksel për një Samit në selinë e re të NATO-s, i cili do të përqendrohet në luftën kundër terrorizmit dhe ndarjen e drejtë të barrës midis aleatëve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHB), Donald Trump, i cili më parë e ka përshkruar NATO-n si “të vjetëruar” dhe e ka kritikuar atë për mosmenaxhim të çështjes së terrorizmit, po merr pjesë në Samitin e tij të parë të NATO-s.

Ai pritet të ripërsërisë thirrjet drejtuar aleatëve të NATO-s, si Gjermania, për të rritur shpenzimet e tyre ushtarake për të përmbushur qëllimin e dakorduar të NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së së tyre në mbrojtje.

Përveç Trumpit, po ashtu edhe kryeministrja britanike Theresa May dhe presidenti i ri francez Emmanuel Macron do të marrin pjesë në Samitin e liderëve të NATO-s për herë të parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme