Storia pak e njohur për tragjedinë më të rëndë sportive të Rusisë

Prishtinë | 21 Tet 2019 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Gjatë shkallëve në stadiumin “Luzhniki” në Moskë, lulet dhe fotografitë përkujtojnë tifozët e futbollit që humbën jetën në tragjedinë më të rëndë sportive në Rusi.

Vladimiri, që ka humbur gjashtë kolegë, zgjodhi lulet kuq e bardhë – ngjyrat e skuadrës Spartak nga Moska.

Jashtë Rusisë, pak dinë për katastrofën që ishte fshehur me vite nga Bashkimi Sovjetik.

Edhe sot është ende e paqartë se çfarë ndodhi dhe saktësisht sa persona humbën jetën në stadiumin Luzhniki, që kishte qenë stadiumi kryesor në Lojërat Olimpike në Moskë në vitin 1980.

Në mbrëmjen e 20 tetorit të vitit 1982, 16.500 shikues kishin arritur në arenë, fillimisht të njohur si “Central Lenin Stadium”, për të parë skuadrën e tyre të preferuar të Moskës, Spartakun, të luajë ndaj Haarlemit të Holandës për një vend në 1/8 e finales të Kupës UEFA, shkruan “Al Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”.

Shikueshmëria ishte e vogël, pasi stadiumi kishte kapacitet për të pranuar së paku 80 mijë persona.

“Dimri rus kishte goditur herët, ishte shumë ftohtë dhe shkallët ishin të mbuluara me akull”, ka rrëfyer Alexander Prosvetov, që ishte 27-vjeçar në atë kohë dhe gazetar për “Sport Express”.

Pasi që më pak se një e pesta e biletave ishin shitur, autoritetet e stadiumit vendosën tifozët në sektorin lindor, duke lënë pjesën tjetër të arenës kryesisht të zbrazët.

“Vetëm një dalje ishte e hapur për të bërë më të lehtë për policinë që të kontrollonte turmën”, ka thënë Provestov, që tash është në Komitetin Olimpik të Rusisë. “Ishte gabim i tmerrshëm”.

Me Spartakun duke kryesuar 1:0 në minutat e fundit, disa qindra tifozë vendosën të largoheshin dhe nxituan te tuneli që çonte te shkallët e daljes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme