Ekipi i Strugës është fituesi i edicionit të 10-të të Kupës Pavarësia, kompeticion i përvitshëm miqësor që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit në ditën e festës kombëtare të pavarësisë. Kupa Pavarësia 2018 u zhvillua ditën e sotme në stadiumin “Skëndërbeu” të qytetit të Korçës.
Në ndeshjen e parë gjysëmfinale u përballën Otrant dhe 2 Korriku, në një ndeshje të luftuar që u mbyll në barazim 0-0, dhe triumfoi Otrant me penallti 6-5.
Ndërkohë në ndeshjen e dytë gjysëmfinale Struga ka mundur me rezultatin 1-0 Skëndërbeun. Shqiptarët nga Maqedonia siguruan në këtë mënyrë finalen e madhe përballë Otrantit të Ulqinit.
Ndeshja finale Struga-Otrant përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të struganëve, që bëhen në këtë mënyrë fitues të Kupës Pavarësia 2018, shkruan Federata e Futbollit të Kosovës, përcjellë Klan Kosova.
Ekipi “Fair Play” u vlerësua 2 Korriku i Prishtinës, ndërsa Çmimi i Lojtarit më të mirë të turneut shkoi për Nijaz Lenën e Strugës.