Një grup i studentëve të Kolegjit Iliria, duke qëndruan për tri ditë radhazi në mjediset e kazermës “Ushtarët e NATO-s” të Brigadës për Reagim të Shpejtë në Istog, të pajisur me uniforma dhe duke ndjekur të gjitha rregullat ushtarake, patën mundësi që të përjetojnë ndjenjat dhe emocionet e të qenit ushtarë.
Për t’i përshëndetur dhe falënderuar studentët për këtë aktivitet, dje në mjediset e kazermës në Istog u organizua një ceremoni, ku ishin të pranishëm zëvendëskomandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, kolonel Xhevahir Geci, Mixhaid Reçi, komandanti i Batalionit të Dytë nënkolonel Mehmet Lladrovci si dhe oficerë dhe nënoficerë të BRSH-së.
Zëvendëskomandanti i BRSH-së, kolonel Xhevahir Geci, pasi i falënderoi studentët për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre që t’i kalojnë këto ditë së bashku me pjesëtarët e FSK-së, ndër tjera tha: “Jeta ushtarake ka sfida dhe vështirësi. Gjatë qëndrimit tuaj, ju jeni familjarizuar me jetën ushtarake dhe sigurisht se jeni ballafaquar edhe me disa prej këtyre sfidave, si disiplinën, jetën brenda rregullave, ushtrimet fizike, praninë e armëve etj. Se bashku me stafin tim e kemi përcjellë mbarëvajtjen e këtij aktiviteti dhe e kemi mbështetur me të gjitha kapacitetet realizimin e suksesshëm të tij. Forca e Sigurisë së Kosovës është shtëpi e të rinjve të vendit tonë dhe si e tillë do të jetë gjithmonë e hapur për të realizuar aktivitete të përbashkëta me të rinjtë e vendit tonë, më qëllim që të gjithë së bashku të kontribuojmë sa më shumë në zhvillimin e atdheut tonë”.
Ndërkaq, në emër të Kolegjit ILIRIA të pranishmëve ju drejtua Mixhaid Reçi.
“Ne i përcjellim çdo ditë aktivitetet tuaja, sepse nga ju varet jeta dhe siguria jonë. Puna juaj ndikon pozitivisht tek ne. Studentët e Kolegjit ILIRIA këtu kanë pasur mundësinë që të shohin se si është të punohet ditën, natën, me orar të stërzgjatur dhe duke u përballur me sfida të ndryshme. Jam shumë i nderuar që studentët tonë po i shoh si ushtarakë dhe do të doja që çdo i ri të kalojë në ketë fazë, sepse këtu në FSK mund të shohin guxim dhe aftësi. Ne kemi një rini të guximshme dhe me këtë mburremi si shoqëri”.
Gjatë kësaj periudhe këta të rijnë kanë praktikuar disa nga detyrat thelbësore të FSK-së, sipas plan- programit të përgatitur nga BRSH-ja.
Kanë praktikuar aktivitete kryesore të një dite të zakonshme në FSK, duke filluar nga ngritja e Flamurit, ushtrimet fizike, histori ushtarake, njoftimi mbi misionin, strukturën dhe detyrat e FSK-së, njohjen me rregullore rreshtore, njohjen me armë, vlerat ushtarake, aktivitete sportive etj.
Në fund të këtij aktiviteti studentët e Kolegjit Iliria janë ndarë shumë të impresionuar me aktivitetet e BRSH-së, dhe se kjo përvojë do jetë udhërrëfyes për ta në jetën e tyre personale dhe profesionale. Ata u shprehën të kënaqur me mundësinë e dhënë dhe shprehën dëshirën që kjo mundësi t’ju ofrohet edhe të tjerëve.
Në Brigadën e Reagimit të Shpejtë të FSK-së, tashmë bashkëpunimi me institucionet tjera është bërë traditë. Ky është aktiviteti i dytë i këtij lloji i organizuar nga Brigada për Reagim të Shpejtë.
Vitin e kaluar 29 persona nga Kuvendi i të Rinjve të Kosovës kanë qëndruar katër ditë në kazermën ‘’Ushtarët e NATO-s” në Istog.