14 nëntori njihet ndërkombëtarisht si dita për ndërgjegjësimin ndaj diabetit, andaj për të ndihmuar në shënimin e këtij aktiviteti, studentët e Fakultetit të Infermierisë në UBT, kanë qëndruar sot në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, të cilët kanë bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë dhe të përkrahin masat e parandalimit dhe kontrollit të diabetit.
Me këtë rast, studentët kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme, duke filluar nga matja e sheqerit në gjak, pastaj kanë shpërndarë edhe materiale edukativo shëndetësore për qytetarët.
Në këtë aktivitet, studentët u kanë treguar qytetarëve se sa janë të nevojshme strategjitë e zbatueshme për të përmirësuar qasjen e individëve me ushqime të shëndetshme dhe të përballueshme, si dhe krijimin e mjediseve për aktivitetet fizike, në mënyrë që të ndryshohet stili i jetës për tërë popullatën.
Teksa, dekani i Fakultetit të Infermierisë në UBT, Fitim Alidema ka theksuar se diabeti është një sëmundje metabolike kronike ku karakterizohet nga një nivel i lartë i sheqerit.
Tutje, ai theksoi se numri i të prekurve nga kjo sëmundje po vjen gjithnjë në rritje, sëmundje nga e cila po preken edhe moshat e reja.