Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” nënshkruan memorandumin për mundësi të praktikës nga ana e studentëve të këtij universiteti në MAShT.
Kjo marrëveshje u vlerësua lart në të mirë të studentëve, në mënyrë që studentët përpos që marrin shprehi të punës do të jenë edhe më të kompletuar.
Ministri i Arsimit, Shnecës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se 100 studentë nga profile të ndryshme do të kenë mundësinë të fillojnë praktika në ministrinë që drejton ai.
Sipas Bajramit, çdo tre muaj do të marrin nga 100 studentë.
“Duke marrë studentë në praktikë n u mundësojmë të marrin ata aftësi dhe shprehi të punës. Kjo është edhe një mënyrë e mirë që ata gjatë studimeve të përgatiten dhe të dalin të kompletuar. Përpos certifikatave dhe një pagës simbolike që do të marrin, ministria në fund të praktikës do t’ua përgatisë edhe një provim për aftësi të punës, në mënyrë që të mund edhe të përfitojnë punë të rregullt si në Ministrinë e Arsimit ashtu edhe në sektorë të tjerë të Qeverisë”, tha ministri Bajrami.
Kurse përfaqësuesi i Universitetit të Prishtinës, rektori, Marjan Dema, tha se UP-ja është në rrugën e reformimit që po bëhet në të gjitha fushat e këtij institucioni arsimor.
“Universiteti i Prishtinës është në rrugët e reformimit. Reformat po bëhen në të gjitha fushat. Kjo marrëveshje është në të mirë të studentëve, ne kemi nënshkruar edhe me institucione të tjera private ku disa studentë janë edhe duke kryer punën praktike, e që janë duke treguar suksese të mira në punët që kanë filluar të bëjnë si praktikant, e disa prej tyre kanë filluar edhe punën e rregullt,” tha rektori Dema.
Përzgjedhja e studentëve do të bëhet së pari nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, e më pas ajo përzgjedhje do të kalojë në Ministri të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.