Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, në nivelin e studimeve master në UBT, për herë të parë në Kosovë, prezantuan projektet më inovative të Betonit, duke aplikuar standardet evropiane dhe eurokode, të cilat janë obligative dhe pjesë përbërëse e projekteve të rëndësishme të bashkësisë evropiane, teksa të njëjtat kërkohen edhe në çdo tender ndërkombëtar, duke përfshirë në to mix/dizajnët, qëndrueshmërinë ndaj ambienteve të ndryshme dhe jetëgjatësinë e konstruksioneve të betonit.
Studentët që vijnë nga vendet fqinje dhe që aktualisht janë duke studiuar në UBT, u shprehën se, në vendet prej nga ata vijnë, nuk parashihet kjo formë e projekteve gjatë studimeve, që është e aplikueshme në praktikën ndërtimore, përderisa me të njëjtat projekte ata kanë mësuar që ta bëjnë revidimin e shumë projekteve të realizuara në Kosovë dhe jashtë vendit.
Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e projekteve të tilla, profesorët e lëndës “Materialet e avancuara në ndërtim”, Muhamet Ahmeti, Driton Kryeziu dhe Visar Krelani, vlerësuan lartë punën e studentëve, të cilët, sipas tyre, realizuan projekte serioze, por që në të njëjtën kohë, shprehën edhe dëshirë e angazhim për të mësuar më shumë për këtë fushë.
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, është i akredituar në nivelin bachelor dhe master, ku ligjërojnë profesorë dhe ekspertë të njohur vendorë e ndërkombëtarë të fushës së ndërtimtarisë, teksa aktualisht vetëm niveli master i këtij drejtimi, i ka mbi 100 studentë aktivë nga Kosova dhe vendet fqinje.