Dogana e Kosovës ka ndarë mirënjohje për studentët e Universitet “Hasan Prishtina” të cilët gjatë punës praktike në Doganë kanë arritur suksesshëm të ndërtojnë një sistem kompjuterik shumë të nevojshëm për Doganën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Mirënjohjet i ndanë ministri i Financave Avdullah Hoti dhe Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Bahri Berisha.
Drejtori Bahri Berisha tha se është kënaqësi që sot të promovohet programi inovativ i këtyre studenteve program ky që do të shërbejë për Doganën e Kosovës.
“Ky program sot i avancon programet që deri sot i kemi pasur. Ne kemi shumë programe deri tash por edhe ky i juaji shton një vlerë të re. Ky e lehtëson procesin por edhe qasjen. Besojmë se në të ardhmen do të avancojmë edhe programe tjera”, tha Berisha.
Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se sot po arrijnë të promovojnë një produkt që këta studentë e kanë bërë.
“Këta studentë nuk do të bëjnë punë praktike por do t’i shërbejnë institucionit të Universitetit. Është një gjest shumë i vogël që ka bërë sot Dogana për këta studentë”, ka thënë Hoti.
Sipas tij edhe grupi tjetër që do të fillojë në muajin maj beson se do të jetë produktiv.
Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se është detyrë dhe obligim i tyre që të ofrojnë kushte dhe mundësi më të mira për studentët.
“Kemi potencial të madh të ekspertëve që me ju ofrua institucioneve tona”, ka shtuar Dema.
Sipas tij askush nuk mund ta ndal Universitetin e Prishtinës të jep kësi kontribute.
“UP-ja kurrë s’ka qenë më pak se tani i ndikuar nga politika. Pa ndryshim të UP-së nuk ka ndryshim të vendit”, tha ai.
Dema falënderoi Doganën për mundësinë që iu ka dhënë studentëve.